Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, diferencë e ngushtë mes dy kandidatëve Pendarovski dhe Siljanovska

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, diferencë e ngushtë mes dy kandidatëve Pendarovski dhe Siljanovska

Në Maqedoninë e Veriut janë mbyllur kutitë e votimit në ora 19.00, me një fluks jo të madh të votuesve mbi 40 për qind. Komisioni Shtetëror Zgjedhor tha se zgjedhjet ishin të rregullta, me parregullësi minore që nuk ndikojnë në procesin zgjedhor. Edhe Ministria e Brendshme theksoi se zgjedhjet kaluan në një atmosferë të qetë, pa incidente. Sipas të dhënave të përpunuara nga KSHZ, ka një diferencë të vogël mes kandidatit të partive të koalicionit Stevo Pendarovski dhe kandidates së partisë opozitare VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska – Davkova. Nga rreth 40 për qind të votave, prinë Pendarovski me 42 %, derisa Siljanovska ka 40%. Kandidati i tretë Blerim Reka ka arritur të fitojë 12%. Aleksandar Kiracovski nga shtabi i Pendarovskit tha se pritet që kandidati i tyre të shënojë fitore në këtë raund të parë, derisa Igor Janushev nga VMRO-DPMNE ka shpallur fitoren e kandidates së tyre duke thënë se epërsia e saj po rritet dhe se ajo do të jetë fituese. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se rezultatet e para preliminare pritet të dalin para mesnate. Vlerësime për mbarëvajtjen e zgjedhjeve kanë dhënë edhe nga OSBE/ODIHR. Rezultatet e këtij raundi të votimeve tregon se do të ketë raund të dytë që do të zhvillohet më 5 maj midis dy kandidatëve, Pendarovskit dhe Siljanovskës. /IBNA