Zëri i Amerikës dhe Soros godasin sërish qeverinë

Zëri i Amerikës dhe Soros godasin sërish qeverinë

“Krimi bleu votat në zgjedhjet 2017”

Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave në Shqipëri. Raporti i VOA dhe BIRN: Lidhjet mes grupeve kriminale dhe politikës kanë dëmtuar shtetin dhe integritetin e tij. Pohimi i ekspertëve: Kriminelët e lidhur me politikanët kanë krijuar idenë se në demokraci gjithçka është në shitje. Sot të gjithë besojnë se askush nuk mund të fitojë në zgjedhje nëse nuk merr mbështetjen e grupeve të tilla

Dhjetëra përgjime dhe dokumente nga dy hetime në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, një pjesë të të cilave i publikoi mbrëmë Zëri i Amerikës, sugjerohet se hedhin dritë mbi përfshirjen e krimit të organizuar në episode të blerjes së votave në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër. Raporti investigues i VOA në bashkëpunim me BIRN e Fondacionit Soros, vjen ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri zgjedhor.

Materialet e publikuara dolën nga dosjet hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, nr 339 dhe 339/1. Në raport, evidentohet seksioni “korrupsion dhe blerje votash me 42 CD të mbushura me përgjime”. Shumë të tera janë ende të paskriptuara.

Dosja hetimore 339 nisi në vitin 2016 me përgjimin e anëtarëve të një organizate të krimit të organizuar me bazë në Shijak dhe me fije të shpërndara në të dy skajet e Shqipërisë, të përfshirë në trafikun e heroinës dhe të kokainës.

Bisedat telefonike me grupin “Avdyli” e zgjeruan rrethin e hetimeve edhe te një numër zyrtarësh dhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, të cilët akuzohen për korrupsion dhe falsifikime me tokat.

Të dhënat hedhin dritë mbi episode të dyshuara të përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në Durrës, Kavajë dhe Lezhë, ndërkohë që Shqipëria po shkon drejt një procesi të ri elektoral pa kryer ende një reformë të thellë zgjedhore.

Dokumente hetimore dhe përgjime ngrenë dyshime se anëtarët e grupit Avdyli u përfshinë në blerje votash në ndihmë të kryetarit të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017.

Bisedat telefonike tregojnë gjithashtu një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes Dakos dhe vëllezërve Avdyli, kontributi i të cilëve në zgjedhje duket se është shpërblyer me akses pranë disa institucioneve kyçe në Durrës.

Përfshirja e grupit “Avdyli” në shit-blerje votash nuk është një rast i izoluar. Një hetim i dytë i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i nisur pas kallëzimit të Partisë Demokratike për manipulimin e zgjedhjeve të 11 shtatorit 2016 në Dibër ekspozon gjithashtu persona me precedentë si dhe aparatin shtetëror lokal në orientimin apo manipulimin e votës.

Rekrutimi i personazheve të krimit të organizuar për mbushjen e hambarit të votave fajësohet si një ndër arsyet kryesore për rrënimin e besimit për zgjedhje të lira në Shqipëri.

Opozita akuzon kryeministrin Rama se e ka kthyer bashkëpunimin me krimin në një strategji për mbajtjen e pushtetit, ndërkohë që Partia Socialiste dhe kryeministri i kanë mohuar akuzat dhe i cilësojnë ato alibi për humbjen e zgjedhjeve.

Megjithatë, ekspertë të zgjedhjeve u bien këmbanave të alarmit se roli i grupeve kriminale në disa zona periferike është tanimë edhe më i madh se ai i partive politike.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve për përfshirjen e dyshuar të Avdylajve në zgjedhje apo në korrupsion me sektorë të ndryshëm të administratës.

Bashkia e Durrësit rezulton të jetë vetëm njëra prej zonave të influencës së grupit të dyshuar kriminal, ndërsa të dhënat hetimore tregojnë se kriminelët janë përfshirë edhe në Kavajë. Ndërsa në Lezhë, përgjimet tregojnë se vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka flet gjithashtu për blerje votash.

Një telefonatë e përgjuar dy ditë pas zgjedhjeve, të cilët hetuesit e çështjes e identifikojnë në zonën e Kavajës, tregon jo vetëm fenomenin e blerjes së votës, por edhe fotografimin e saj dhe presionin për të kthyer paratë mbrapsht.

***

Përfshirja e “individëve të fortë” në zgjedhjet shqiptare nuk është një fenomen i ri. Që pas rënies së regjimit komunist dhe hapjes së vendit ndaj zgjedhjeve pluraliste, partitë politike kanë kërkuar herë pas herë edhe “muskujt” në garat kundër kundërshtarëve.

Megjithatë, ekspertë dhe monitorues të sistemit zgjedhor në Shqipëri shprehen të shqetësuar për përhapjen e fenomenit pas zgjedhjeve të vitit 2013 si dhe sofistikimin e mënyrës sesi krimi i organizuar dikton në zgjedhje.

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike thotë se monitoruan këtë aspekt në zgjedhjet e vitit 2017 dhe rezultoi se në disa zona specifike, roli i grupeve kriminale në fushatë ishte edhe më i madh se ai i partive politike. Krasniqi rendit Dibrën, Elbasanin, Shkodrën, Durrësin, Kavajën dhe Lezhën si zona më problematike.

“Fillimisht patëm sponsorizim të botës së krimit ndaj politikanëve lokalë që duan të merren me politikë, më pas kaluam në kandidim të vetë elementëve kriminalë në zgjedhje. Në fazën e tretë kemi të dy fenomenet, sponsorizim dhe kandidim”, – tha Krasniqi.

Ai pohon se lidhjet mes krimit dhe politikës kanë dëmtuar shtetin dhe integritetin e tij.

“Ata kanë krijuar idenë përgjithshme se në demokraci gjithçka është në shitje. Sot është krijuar ideja se askush nuk mund të fitojë në zgjedhje nëse nuk merr mbështetjen e grupeve të tilla,” përfundoi Krasniqi.