Zaev: Pres që të vazhdojë miqësia dhe partneriteti strategjik me Greqinë

Zaev: Pres që të vazhdojë miqësia dhe partneriteti strategjik me Greqinë

Kryeministri Zoran Zaev ka theksuar se pas ndërrimit të pushtetit në Greqi pret që të vazhdojë miqësia me shtetin fqinj dhe partneriteti strategjik në përputhje me Marrëveshjen e Prespës.  Zaev këtë e bëri të ditur në një intervistë mbrëmë për televizionin Klan Macedonia. Ai tha se edhe kryeministri i ri grek Kiriakos Micotakis është pjesërisht i kujdesshëm rreth Marrëveshjes së Prespës. Zaev ka dhënë detaje edhe për atë se çfarë kanë folur me Micotakis në bisedën e parë telefonike.

“Ne folëm miqësisht. Përcollëm porosi miqësore. Unë i shpreha dëshirën për mirëqenie dhe prosperitet të qytetarëve grekë në Republikën e Greqisë, si fqinj i yni. Kryeministri Micotakis shprehu dëshirën që të takohemi si miq dhe të punojmë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve”, theksoi Zaev.

Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski ditë më parë pas zgjedhjes së Micotakis theksoi se do të jetë i gatshëm të bisedojë edhe për Marrëveshjen e Prespës, në rast se do të bëhet kryeministër dhe nëse do të ketë iniciativë nga pala greke.  Analistët politik në Shkup nuk presin që të ketë ndonjë revidim të Marrëveshjes së Prespës nga pushteti i ri në Greqi dhe se sipas tyre, Micotakis ka dhënë sinjale se nuk do të preket kjo marrëveshje që është ratifikuar në Kuvendet e të dyja vendeve si dhe është mbështetur ndërkombëtarisht./IBNA