Zaev pranon zgjedhje të parakohshme, opozita kërkon sa më shpejt

Zaev pranon zgjedhje të parakohshme, opozita kërkon sa më shpejt

Pas kërkesave të vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, kryeministri Zoran Zaev ka pranuar mbajtjen e tyre por në tetor të 2020, dy muaj para atyre të rregullta që duhet të mbahen në dhjetor 2020.

“Do të bëjmë gjithçka që të kemi konsensus me opozitën. Nëse dëshirojnë zgjedhje të parakohshme ato mund të mbahen në tetor 2020”, theksoi Zaev.

Opozita kushtëzon votimin e Ligjit për Prokurorinë dhe reformat në drejtësi, nëse pushteti nuk pranon zgjedhje të parakohshme.  Zëdhënësi i VMRO-DPMNE, Naum Stoilkovski tha se dorëzimi i Zaevit për të pranuar zgjedhjet e parakohshme është një bazë e arsyeshme që të ulen me Qeverin në tryezën e bisedimeve.

“Është e qartë se nën presionin e opinionit pas skandaleve të shumta, qeveria e cila është në rënie të vazhdueshme po pranon propozimin e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare.”, theksoi Stoilkovski. Sipas tij, opozita ka datë tjetër se kur duhet të mbahen zgjedhjet. Kërkesa për zgjedhje të parakohshme kanë edhe partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA. Ata kërkojnë që tajmingu i mbajtjes së tyre të jetë fillimi i vitit të ardhshëm. Edhe këto dy parti kushtëzojnë përkrahjen e Ligjin për prokurorinë dhe reformat në gjyqësor nëse pushteti nuk pranon vendimin për zgjedhje të parakohshme. /IBNA