
Kryeministri Zoran Zaev dje zhvilloi një agjendë të stërngarkuar të takimeve në Bruksel, ku në Këshillin e Stabilizim Asocimit ka prezantuar rezultatet e vendit në procesin e reformave që zbatohen në rrugën drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Ai u takua me krerët më të lartë të Komisionit Evropian, Federica Mogherini dhe eurokomisarin për zgjerim Johannes Hahn, ndërsa në selinë e NATO u prit nga sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg.
Vlerësimi i arritjeve të deritanishme dhe reformat e domosdoshme, ishin cështjet që dominuan gjatë takimeve të kryeministrit Zaev.
Përfaqësuesit e lartë të NATO dhe BE porositën që të zbatohen reformat në drejtësi, sistemin e sigurisë, administratë dhe sfera tjera.
Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogerini tha se dëshirojnë që në qershor të ketë dritë jeshile për hapjen e negociatave, të bazuar në meritokraci. Megjithatë, sipas saj, kjo do të jetë më e qartë në raportit e progresit të vendit të përgatitur nga Komisioni Evropian, i cili do të publikohet në fund të muajit maj.
Eurokomisari Hahn ka nënvizuar dialogun politik dhe pjesëmarrjen e të gjith partive politike në vendimet që janë në interes të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg tha se vendi ka bërë përparime të mëdha me Marrëveshjen e Prespës dhe se pret që vendi të bëhet anëtar i Aleancës.
“E inkurajoj vendin tuaj për të vazhduar përmes rrugës reformuese, kjo është me rëndësi derisa përgatiteni për anëtarësim. Me padurim e pres anëtarësimin në Aleancë, ajo që dukej si ëndërr e largët së shpejti do të bëhet realitet”, nënvizoi Stoltenberg.
Derisa vendet anëtare po vazhdojnë ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO, më 18 qershor Këshilli për Punë të përgjithshme i BE-së do të sjellë vendimin lidhur me hapjen e negociatave. /IBNA