Zaev dhe Mickoski zotohen për zgjedhje fer dhe demokratike

Zaev dhe Mickoski zotohen për zgjedhje fer dhe demokratike

Zgjedhjet fer dhe demokratike si dhe dialogu politik ishin temat kryesore të takimit të zhvilluar mbrëmë midis kryeministrit Zoran Zaev dhe liderit të opozitës maqedonase Hristijn Mickoski. Liderët e dy partive më të mëdha janë dakorduar për formimin e grupeve të punës që do të tejkalojnë dallimet midis tyre.

Zaev theksoi se zgjedhjet presidenciale duhet të jenë fer dhe demokratike, më të mirat që deri sot ka organizuar vendi. Sipas tij, shtabet e dyja partive do të jenë në komunikim të vazhdueshëm.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski  theksoi se kreu i qeverisë ka pranuar të dëgjoj kërkesat e tyre për sigurimin e kushteve që zgjedhjet presidenciale të 21 prillit të jenë fer dhe demokratike.

“Për momentin nuk jam i sigurt nëse qeveria ka siguruar kushte optimale për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale korrekte dhe demokratike.  Shpresojmë që ditëve në vijim qeveria të përmirësoj dobësitë e treguara”, theksoi Mickoski.

Lidhur me Prokurorinë Speciale Mickoski dhe Zaev janë dakorduar për të vazhduar debatin për të arritur marrëveshje për ligjin për funksionimin e kësaj prokurorie. Lideri i VMRO-DPMNE theksoi se Katica Janeva dhe ekipi i saj në Prokurorinë Speciale kanë humbur kredibilitetin dhe nuk janë persona adekuat për udhëheqjen e  këtij instuticioni.

Por kryeministri Zaev theksoi të kundërtën lidhur me Prokurorinë Speciale dhe udhëheqësen e saj Katica Janeva.

“Unë besoj tek Katica Janeva, tek Prokuroria Speciale dhe gjithë ekipin e saj. Ne me ligjin e ri e mbështesim Prokurorinë Speciale. Në parim ne do të tentojmë që të kemi konsesus për këtë pyetje” theksoi Zaev. /IBNA