Zaev: Data për hapjen e bisedimeve, shtytje pozitive për Ballkanin Perëndimor

Zaev: Data për hapjen e bisedimeve, shtytje pozitive për Ballkanin Perëndimor
Sinjali i qartë i BE-së për fillimin e negociatave me vendin tonë do të ketë një shtysë pozitive për Ballkanin Perëndimor dhe do të dekurajojë të gjithë ndikimet e padëshiruara në rajon, tha kryeministri Zoran Zaev gjatë debatit publik në organizim të IFIMES në Lubjanë, në kuadër të vizitës zyrtare dyditore në Republikën e Sllovenisë.
Ai i informoi të pranishmit se ne jemi i vetmi vend nga Ballkani Perëndimor që nuk ka probleme të hapura bilaterale me fqinjët dhe sipas tij për këtë kontribuoi zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, i cili në kushte komplekse solli zgjidhjen e problemit me Greqinë, rreth çështjes së emrit.
“Ne jemi të përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie për të gjithë – një koncept që e respekton dhe e lartëson diversitetin në shoqërinë tonë. Marrëdhëniet ndëretnike sot janë të qëndrueshme. Në fazën përfundimtare janë reformat politike, duke përfshirë reformën në gjyqësor, shërbimet e sigurisë, administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit, si përparësitë tona kryesore”, tha kryeministri Zaev.
Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se deri tani 13 vende kanë ratifikuar protokollin për anëtarësim dhe deri në fund të vitit 2019, pritet të përfundojë procesi i anëtarësimit të plotë të vendit tonë në NATO./IBNA