Xhaçka: Ushtria merr nën kontroll sigurinë e aeroportit

Xhaçka: Ushtria merr nën kontroll sigurinë e aeroportit

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, njoftoi dje urdhrin që ushtria të marrë në dorë kontrollin e sigurisë në mjediset e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Tiranë, “Nënë Tereza”.

Zonja Xhaçka tha se ngjarja që ndodhi dje në Aeroportin e Rinasit ishte e rëndë duke vlerësuar se diçka e tillë, nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë.

Xhaçka tha se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncesionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht.

Sipas saj, kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cenohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit.

Për këtë arsye, “në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, – njoftoi ministrja.

Ajo tha se “kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet evropian”.

Po ashtu, Xhaçka ka urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke iu bashkuar kështu Policisë së Shtetit “për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit”.

Ministrja e Mbrojtjes tha se “siguria e qytetarëve është prioriteti ynë kryesor dhe askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka për ta garantuar atë”.

Kryetari i opozitës alarmoi dje nga Vlora se veprimet e fundit të qeverisë janë në kufijtë e një grushti shteti

Basha: Ushtria në aeroport, veprim antikushtetues

Vendimi i Xhaçkës për të dislokuar forca ushtarake në aeroport, shihet nga kryetari i opozitës, si veprim antikushtetues. “Dislokimi i forcave të armatosura ushtarake, po bëhet në mënyrë totalisht antikushtetuese dhe të paligjshme”, – u shpreh Basha nga Vlora ku pati një takim me mbështetës të PD.

Basha sulmoi Ramën kur tha se “njeriu që solli krimin në Qeveri dhe në Parlament, dhe për të mbrojtur aferat e tij me krimin shkatërroi drejtësinë dhe policinë shqiptare, është përgjegjësi kryesor për ngjarjen më të rëndë të sigurisë kombëtare, që në mënyrë të përsëritur ndodhi në Rinas”.

Për z.Basha, futja e ushtrisë në aeroport është “një provë e rënies totale të shtetit dhe të kapitullimit të policisë para krimit”.

Basha alarmoi se veprimet e fundit të qeverisë janë në kufijtë e një grushti shteti”.

Rama: TIA, tani e tutje nën kontrollin e shtetit

Kryeministri Edi Rama, akuzoi koncesionarin kinez se ka dështuar në masat e sigurisë aeroportuale.

Rama shkoi dhe më larg kur akuzoi dhe koncesionarin e mëparshëm gjerman.

“Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj si në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do të marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm e të sigurisë së brendshme”, – tha Rama.

Ministri i Brendshëm ia faturon gjithë fajin koncesionarit të TIA

Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj, sulmoi koncesionarin e aeroportit, duke vlerësuar se nuk kanë funksionuar aspak mekanizmat e sigurisë. Për z.Lleshaj, kompania kineze që ka koncesionin e aeroportit të Rinasit ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e saj për garantimin e parametrave të sigurisë fizike.

Ministri nuk përmendi përgjegjësi të mundshme të policisë në ruajtjen e territorit aeroportual.

Ai akuzoi koncesionarin se merr 3 euro për çdo biletë pasagjeri, ekskluzivisht për koston e sigurisë dhe shtoi se kjo vlerë do të kishte mjaftuar për ta garantuar në mënyrë të shumëfishtë perimetrin e jashtëm të aeroportit.

Lleshaj akuzoi TIA se nuk e njoftoi policinë për ngjarjen. Por ky pretendim i tij bie pasi TIA njoftoi se “ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë”. Po ashtu TIA pohoi se zanafilla e operacionit policor ishte “pikërisht njoftimi i saj”.

Ministri njoftoi se autoritetet shtetërore shqiptare do të marrin masa ligjore të menjëhershme dhe të forta për të garantuar pa asnjë mëdyshje të gjitha parametrat dhe standardet e nevojshme të sigurisë në Aeroportin e Rinasit.

Me masat e reja, – tha ai, – garantohet një nivel sigurie i ri, shumë herë më i lartë dhe në përputhje të plotë me standardet më të mira ndërkombëtare.

TIA: Aeroporti mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit

Tirana International Airport (TIA) shprehu keqardhjen e thellë për ngjarjen e 9 Prillit 2019, me pasojë vjedhjen e një sasie të vlerave monetare në pistën e aeroportit. TIA tha se ka vënë në dispozicion të organeve kompetente, të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë që hedhin dritë mbi ngjarjen e 9 Prillit 2019.

TIA pohon se ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave. Kurse njoftoi se autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ka njoftuar në kohë sallën operative të Policisë së Shtetit në Rinas.

Në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, TIA evidenton se ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues.

Një fakt tjetër që vë në dukje TIA është edhe se ajo auditohet periodikisht, qoftë nga Autoriteti i Aviacionit Civil, qoftë nga palët e treta. Po ashtu, forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur.

Duke theksuar se aeroporti nuk është i kinezëve, por i të gjithë shqiptarëve, TIA kujton dhe faktin se aeroporti është pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, TIA e vlerëson si të pasaktë.