VMRO-DPMNE kushtëzon përkrahjen e ligjeve me marrëveshje për zgjedhje të parakohshme

VMRO-DPMNE kushtëzon përkrahjen e ligjeve me marrëveshje për zgjedhje të parakohshme

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE paralajmëroi se do të votojë për Ligjin e ri për Prokurorinë Speciale nëse pushteti do të pranojë që më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikolovski tha për Kanal5 se kushti i tyre është që të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. “Pa datën për zgjedhjet nuk do të kalojë asgjë në Kuvend, pavarësisht se po zhvillohen takimet e grupeve të punës për Ligjin për Prokurorinë”, theksoi Nikolovski.

Kryeministri dhe lideri i SDSM, Zoran Zaev tha se miratimi i Ligjit për Prokurorinë Publike nuk duhet të kushtëzohet me zgjedhje të parakohshme.

“Ne nuk jemi për zgjedhje të parakohshme. Duhet të gjejmë zgjidhje, por jo me zgjedhje të parakohshme, sepse do të dëmtojmë ekonominë”, theksoi Zaev. Ai mbron qëndrimin që të respektohet data e zgjedhjeve të rregullta që është dhjetori i 2020.

Analistët thonë se zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme nga fillimi Ii vitit të ardhshëm.

“Nëse në tetor nuk do të marrim date për bisedime me BE, atëherë zgjedhjet janë opsion, por edhe nëse do të ketë datë, atëherë pushteti do të shfrytëzojë këtë si sukses dhe do të shpallë zgjedhje të parakohshme”, theksoi profesori universitar Berat Aqifi.

Fati i Prokurorisë Speciale konsiderohet të jetë çështja e fundit e hapur para se vendet anëtare të BE-së, në tetor të vendosin mbi fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut. /IBNA