Vlerësimet ndërkombëtare për zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Vlerësimet ndërkombëtare për  zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të organizuara mirë, ndërsa dita e zgjedhjeve ishte e qetë me një proces transparent, megjithatë akoma ka nevojë për reforma zgjedhore. Ky vlerësim është dhënë nga misioni monitorues i OSBE/ODIHR.

“Kjo qasje konstruktive duhet të jetë edhe në balotazh”, theksoi Sereine Mouborgne, koordinatorja speciale dhe shefe e vëzhgimit afatshkurtër të OSBE-së.  Ajo tha se në të ardhmen duhet të punohet për reforma në kodin zgjedhor, siç është pastrimi i listës zgjedhore. Por misioni ndërkombëtar për monitorimin e zgjedhjeve ka shprehur shqetësime për daljen e ulët të qytetarëve në zgjedhjet e së dielës.

Monitoruesit ndërkombëtarë i kanë ftuar votuesit të dalin në rrethin e dytë me qëllim që të kontribuojnë në ardhmërinë e vendit.

Edhe Bashkimi Evropian theksoi se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale kaloi në mënyrë të qetë dhe transparente, por nevojiten reforma shtesë në legjislacionin zgjedhor.

“Mbetet e nevojshme të finalizohen reformat e filluara paraprakisht të legjislacionit zgjedhor”, tha zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic.

Bashkimi Evropian u bën thirrje qytetarëve të Maqedonisë së Veriut ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre në raundin e dytë më 5 maj masivisht të dalin të votojnë./IBNA