Vizita e Tsipras pjesë e fushatës së kandidatëve për president

Vizita e Tsipras pjesë e fushatës së kandidatëve për president

Vizita e kryeministrit grek Alexis Tsipras dje në Shkup është bërë temë debati dhe pjesë e fushatës së kandidatëve për president gjatë tubimeve të tyre me qytetarët.

Kandidatja për presidente e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska – Davkova shprehur kritika se përse nuk u intonua himni kombëtar dhe nuk u nxorr garda në ceremoninë e pritjes së kryeministrit grek. “Kryeministri ynë në vend që të simbolizojë shtetin, ai harroi himnin. Ky akt i turpshëm tregon se kush është ai, kush është Qeveria e tij dhe kë përfaqëson. Por ne nuk ndjejmë dhe as nuk e pranojmë shtetin e tij.”, theksoi Siljanovska – Davkova. Ajo përsëriti qëndrimin se nuk njeh marrëveshjen e Prespës dhe se do të bëj cmos për shfuqizimin e saj.

Kandidati për president i partive në pushtet, Stevo Pendarovski nënvizoi se vizita e kryeministrit Tsipras është me rëndësi historike, sepse kontribuon për stabilitet në rajon dhe zhvillim të shpejtë ekonomik në vend.

“Vizita e kryeministrit Cipras me delegacionin e 70 kompanive është me rëndësi historike për vendin tonë. Miqësinë e re që e ndërtojmë midis të dyja vendeve, jo vetëm që i stabilizon marrëdhëniet në Ballkan, por mundëson zhvillim të shpejt ekonomik në vendin tonë. Sot treguam se vetëm me vullnet të fuqishëm, lidership dhe vizion mund të bëhen hapa të rëndësishëm përpara”, theksoi Pendarovski.

Ndërkohë, edhe kandidati i tretë për president, Blerim Reka kohë më parë ka theksuar se mbështet Marrëveshjen e Prespës dhe marrëveshjet e tjera me fqinjët që i hapin rrugë hyrjes së vendit në NATO dhe BE. /IBNA