VIZITA E PALMER DHE KRIZA POLITIKE, TANI NIS “THE FINAL COUNT DOWN”

VIZITA E PALMER DHE KRIZA POLITIKE, TANI NIS “THE FINAL COUNT DOWN”

Nga ROLAND QAFOKU

Nuk vjen posaçërisht për Shqipërinë. Është vizitë e planifikuar në Ballkan dhe ai vetë nuk është negociator mes palëve. E megjithatë vizita e zëvendësndihmëssekretarit të Shtetit Amerikan, Mathew Palmer të martën (9 prill), merr një rëndësi ekstra për situatën që po kalon vendi.

Por çfarë pritet të sjellë vizita e diplomatit amerikan në Tiranë? A do jetë ajo një vizitë kortezi apo do sjellë ndikim në krizën që po kalon politika shqiptare. A është ajo një shenjë se ai do realizojë atë që bërë zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Bryan Yee në vitin 2017 me zgjidhjes e krizës së çadrës?

Kur palët janë më të ndara se kurrë, kur protestat e vazhdueshme e kanë lodhur jo vetëm qeverinë, por më shumë se kaq kanë helmuar situatën sociale në Shqipëri, kur data e zgjedhjeve lokale po afron dhe askush nuk e di nëse ato do të mbahen apo do të shtyhen në vjeshtë për t’u zhvilluar njëkohësisht me zgjedhjet e përgjithshme pyetja e pritshme është: A është vizita e Palmer nisja e procesit të zgjidhjes së krizës?

1.Vizita e Palmer tregon se diplomacia amerikane jo vetëm po i jep rëndësi situatës që ndodhet Shqipëria, por rreket të japë edhe zgjidhjen për të. Për SHBA, mungesa e stabilitetit politik në Shqipëri lidhet me atë në rajon dhe më gjerë dhe impenjimin amerikan merr rëndësi të madhe. Beteja për ndikimin rus në Ballkan natyrisht që ka si pjesë të pashmangshme të saj betejën për të patur stabilitet në Shqipëri dhe pikërisht këtu nis arsyeja kryesore. SHBA nuk mund të lejojë një Ballkan të trazuar dhe Shqipëria është çelësi kryesor i këtij stabiliteti për të cilën ajo ka investuar shumë.

2.Vizita e Palmer sipas të gjitha gjasave do të sjellë nisjen e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri. Palmer është një njohës shumë i mirë i çështjeve të Ballkanit dhe në detyrën që ka mbulon pikërisht këtë rajon, ndaj ky është momenti që diplomacia amerikane të investohet plotësisht për ta zgjidhur krizën shqiptare. Gjasat janë që pikërisht të martën nis zgjidhja e kësaj krize.

3.Vizita e Palmer, do të sjellë informacionin e duhur për diplomacinë amerikane. Natyrisht që nëpërmjet ambasadës në Tiranë, Departamenti i Shtetit ka plot informacione, por kontaktet e tij të drejtpërdrejta, argumentet e palëve do t’i japin atij një panoramë edhe më të detajuar të asaj që po ndodh në Tiranë. Kjo duket se është pika më e rëndësishme e kësaj situate. Deri më sot kemi parë vetëm deklarata mes palëve, takime të veçuara dhe thirrje për dialog, qetësi dhe jo dhunë në protestat e opozitës. Kështu që vizita e Palmer e çon nën një stad tjetër angazhimin amerikan.

4.Nga vizita e Palmer në Tiranë pritet edhe një element tjetër i rëndësishëm. Të vetmen gjë që nuk negocion SHBA mes qeverisë dhe opozitës është reforma në drejtësi. Investimi i shtetit amerikan për këtë reformë, mbështetja e tyre logjistike, por sidomos ajo realizuese është ndoshta investimi më i madh që SHBA-të kanë bërë për Shqipërinë gjatë periudhës së tranzicionit. Në këtë pikë Palmer duket se nuk do të bëjë asnjë lëshim.

5.Sjellja e SHBA ndaj situatës në Shqipëri nuk ka sjellë favorizim të ndonjë pale si për qeverinë, ashtu dhe për opozitën. Raporti i Departamentit të Shtetit pak ditë më parë ishte një goditje e fortë për qeverinë teksa theksohej presioni politik, korrupsioni i përhapur, duke theksuar edhe se “zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale”. Raporti kritikonte ashpër dhe policinë si dhe kërcënimet me të cilat është përballur media.

Ndërkohë deklarimet se heqja dorë nga mandatet ka qenë e gabuar, dënimet për dhunë në protestat e opozitës duke e cilësuar të papranueshme dhe thirrjet e vazhdueshme ndaj opozitës ka qenë po aq goditje për këtë opozitë. Në këtë kontekst, asnjë nga palët nuk duhet të ndjehet superiore dhe asnjë nga palët nuk mund të ndjehet e favorizuar. Për SHBA është shumë e rëndësishme stabiliteti dhe ky stabilitet nuk  arrihet duke krijuar polaritet dhe politikë konfliktuale.

6.Takimi i Palmer me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e PD, Lulzim Basha, pritet të jetë thelbi i vizitës së tij në Tiranë. Por çfarë pritet të sjellin këto dy takime? Nuk ka vend për shumë imagjinatë për të kuptuar se ç’do thonë Rama dhe Basha në takim. Rama do të ketë si objekt në ato që do të thotë, se qeveria e tij është e avantazhuar në zgjedhje dhe se opozita nga frika se do t’i humbasë këto zgjedhje ka zgjedhur rrugën e heqjes dorë nga mandatet e deputetëve. Rama do të theksojë se mazhoranca është e investuar për reformën në drejtësi ndërsa opozita e ka frikë këtë reformë.

Ndërsa Basha do deklarojë se qeveria është e lidhur me krimin dhe se ka vjedhur zgjedhjet, duke humbur besimin se mund t’i zhvillojë ato brenda parametrave të duhur. Nisur nga kjo, Palmer pritet të peshojë gjërat duke i dëgjuar direkt palët. Por shpresa është që të dy palëve t’u tregojë deri ku e kanë të drejtën e tyre, natyrisht duke e ditur që më parë këtë drejtë.