Vizat, kosovarët trajtohen më keq se Egjipti e Palestina

Vizat, kosovarët trajtohen më keq se Egjipti e Palestina
Institutit EPIK ka bërë publike të dhënat e studimit të fundit për migrimin e kosovarëve dhe marrjen e azilit në vendet e BE-së. Në këtë raport theksohet se në periudhën 2014-2018, gjithsej 413,569 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Shengen në vendet e BE-së dhe nga ta 281,826 kanë marrë vizë Shengen.
Vetëm në vitin 2018, gjithsej 90,840 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për vizë Shengen, ndërsa 63,424 kanë marrë vizë Shengen. “Shkalla e refuzimit të vizave ishte 21.6%. Në vitin 2018, shkalla e refuzimit të kërkesave të qytetarëve të Kosovës për pajisje me vizë Shengen është përkeqësuar krahasuar me vitin 2017, nga 19.6% (2017) në 21.6% (2018). Në vitin 2018, më së shumti aplikacione për vizë janë bërë në Gjermani me 32,529 aplikacione, nga cilat u miratuan 25,058, Zvicër me 30,712 aplikacione, nga cilat u miratuan 24,504 dhe Greqi me 6,922 aplikacione, nga cilat u miratuan 6,03”, thuhet në të dhënat e këtij hulumtimi.
Në vitin 2018 Kosova ishte në vendin 39 nga të gjitha vendet e botës për nga shkalla e refuzimit të vizave për vizë Shengen. Kosova ishte e ranguar më dobët se sa Egjipti, Guinea-Bissau, Burkina Faso apo Palestina, të cilët kanë pasur shkallë më të ulët të refuzimit të vizave se Kosova në vitin 2018./Ibna/