Veseli: Së shpejti formohet Gjykata Ndërkombëtare për krimet e serbëve në Kosovë

Veseli: Së shpejti formohet Gjykata Ndërkombëtare për krimet e serbëve në Kosovë
Autoritetet kosovare kanë filluar përgatitjet dhe procedurat ligjore për formimin e një Gjykate Ndërkombëtare, e cila do ti ndëshkoj krimet e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli sot në një konferencë për media tha se, tashmë ka nisur konsultat dhe procedurat për formimin e këtij institucioni që do ta dënoj gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë.
“Unë kam marrë iniciativën për të filluar procesin i cili do të rezultojë me krijimin e një Gjykata Ndërkombëtare për masakrat e kryera nga Serbia në Kosovës në vitet 1998-1999.
Kjo gjykatë është e mundur dhe e domosdoshme dhe do të ndodhë. Shteti i Kosovës ka për obligim që të marrë të gjitha veprimet, për ta bërë atë të pashmangshme. Rruga e pajtimit historik dhe e paqes së përhershme në mes Kosovës dhe Serbisë kalon vetëm përmes drejtësisë”, theksoi Veseli.
Ai ka thënë se 186 masakra të kryera nga Serbia në Kosovë kërkojnë drejtësi dhe heshtja ndaj dëshmive dhe dëshmitarëve është falje e heshtur për kriminelët.
Ai tha se kjo nuk guxon të ndodhë dhe nuk do të lejohet të ndodhë, ndërsa porositi të gjithë kriminelët serbë që fshihen në Serbi se do të zihen e do të gjykohen për krimet që kanë kryer në Kosovë./Ibna/