Veseli: Me Serbinë nuk do të diskutohet për territore

Veseli: Me Serbinë nuk do të diskutohet për territore
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi sot se, në procesin e bisedime për normalizimin e raporteve me Serbinë partitë politike në vend duhet të unifikohen.

“ Unë besoj se do të bëhemi bashkërisht, pozitë dhe opozitë, me i lënë inatet mes vete dhe të orientohem drejtpërdrejt me e përfunduar çështjen me Serbinë. Përfundimtare Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, nuk ka më as dilemë”, ka thënë Veseli.

Ai tutje ka thënë se në këto bisedime nuk do të hapen diskutime rreth çështjes së territoreve.

“Ne po flasim vetëm për raportet Kosovë – Serbi drejt Bashkimit Evropian. Por në çështjen e të ardhmes së Kosovës ne as nuk do të hapim diskutim rreth asaj çështje, për faktin se territori dhe institucionet janë një dhe të pandashme dhe të qytetarëve të Kosovës të cilët janë shqiptarë shumica prej 92- 3 përqind”, tha Veseli.

Ndryshe çështja e territoreve si temë diskutimi në tavolinën e bisedimeve në Bruksel është hapur në opinion që prej se presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë korrigjim të kufijve./Ibna/