Vendorët, po mbeten akoma një “peng” i pushtetit qendror

Vendorët, po mbeten akoma një “peng” i pushtetit qendror

Fondet që ministritë u akordojnë ende bashkive në rang vendi, flasin për një varësi të vazhdueshme mes tyre, larg praktikës së vetëqeverisjes vendore

Prej vitesh, ata i janë nënshtruar procesit të ashtuquajtur të decentralizimit, por mesa duket kanë mbetur ende “peng” i varësisë nga qendra. Kjo pasi vendorët mbahen akoma, në pjesën më të madhe të tyre, nga paratë që u akordon pushteti zyrtar i Tiranës.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat më të fundit zyrtare të publikuara për buxhetet e pushtetit vendor gjatë 9-mujorit të vitit të kaluar.

“Të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike vijojnë të zënë peshë të rëndësishme në buxhetet vendore. Kjo kategori përfaqësoi rreth 31.1% të burimeve financiare totale të tyre. Kurse transfertat e kushtëzuara nga ministritë e linjës për funksione të deleguara, përfaqësuan rreth 38% ndaj totalit”, sqarojnë ekspertët e Financave lidhur me një dukuri të tillë.

Më tej, në detaje ata tregojnë se qeveria qendrore u transferoi bashkive rreth 22.4 miliard lekë në trajtën e transfertës së kushtëzuar, gjatë 9-mujorit të vitit të kaluar, në rritje me rreth 3.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Ku sipas ministrive të linjës, rreth 14.6 miliardë lekë u transferuan nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

Kurse rreth 7.7 miliardë lekë u alokuan nga ana e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë; për arsimin, sportin dhe rininë; zhvillimi urban etj.

Që të gjitha këto, fonde të domosdoshme për bashkitë, që të përmbushin detyrimet bazë ndaj qytetarëve, sipas këtyre sektorëve respektivë. Dhe që vërtetojnë teorinë se qendra “mban gjallë” ende me fonde rrethet, edhe pse këto tashmë teorikisht kanë kaluar në sistemin e vetëqeverisjes vendore.

Por mesa duket, një gjë e tillë është ende e pamundur në praktikë, derisa rrethet si të tilla, nuk arrijnë të sigurojnë dot me taksat dhe fondet e mbledhura prej tyre as 1/3-tën e buxhetit total, që u duhet për të funksionuar normalisht dhe për të përmbushur çdo shërbim.

“Të ardhurat nga burimet e veta që arrijnë të sigurojnë bashkitë në rang vendi rezultojnë me një peshë specifike prej 29.2%. Shifër më e lartë se mesatarja prej 26.7% e së njëjtës periudhë për 8 vitet e mëparshme”, saktësojnë ekspertët.

Duke lënë të nënkuptohet se edhe pse ky tregues ka ardhur rritje, ajo sërish është më e ulët se të ardhurat që bashkitë vazhdojnë që të sigurojnë nga Tirana zyrtare dhe institucionet e saj respektive.