Vendet bosh pas djegies së mandateve, krijojnë përplasje mes institucioneve

Vendet bosh pas djegies së mandateve,     krijojnë përplasje mes institucioneve

Lënia e mandateve prej deputetëve opozitarë para pak ditësh, ka krijuar dje një përplasje mes institucioneve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i kërkoi dje zyrtarisht Parlamentit

që të qartësonte krijimin e vendeve bosh pas dorëheqjes nga mandati të 57 deputetëve të opozitës. Kjo pasi, ky institucion  pretendonte se kur kishte marrë prej Parlamentit njoftimin për lënien e mandateve prej tyre, aty mungonte shpallja e vendeve vakante. Një element i rëndësishëm ky në fakt, për procesin që pason më tej, ku KQZ-së i duhet të vazhdojë procedurat sipas ligjit, për plotësimin e këtyre vendeve vakante që u krijuan në Parlament. Për këtë arsye, ky institucion i ka kërkuar dje Kuvendit që t’i japë shpjegime se përse nuk është ndjekur praktika e duhur. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kuvendit, i cili i ka kthyer përgjigje kërkesës së KQZ-së, duke i shtuar secilës letër të dorëheqjes së deputetëve edhe faktin se ato kanë shkaktuar një vend bosh në Parlament. Tani në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndodhen dorëheqjet e 57 deputetëve opozitarë, përfshirë edhe atë të kryerepublikanit Fatmir Mediu, i cili e dorëzoi mandatin e deputetit para dy ditësh. Që të gjitha me rregullimin e gabimit për mungesën e sqarimit të vendit bosh. Tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të fillojë normalisht procesin e zëvendësimit të tyre. Sipas Kodit Zgjedhor, mandatet e dorëzuara nga deputetët plotësohen me kandidatët pasues të listës shumëemërore.

Delegacioni i Parlamentit Evropian

Eurodeputeti Kelam: Situata të zgjidhet me dialog konstruktiv!

“Qeveria dhe opozita duhet ta kapërcejnë këtë situatë nëpërmjet dialogut konstruktiv”. Kështu është shprehur kreu i delegacionit të Parlamentit Europian që mbërrin nesër në Shqipëri, në krye të shtatë eurodeputetëve, për të analizuar nga afër situatën politike në Shqipëri. “Ne dënojmë me forcë retorikën politike që nxit dhunën dhe i kërkojmë opozitës që të riangazhohet me jetën parlamentare”, tha eurodeputeti i Partisë Popullore, Tune KelamBëhet me dije se ky delegacion në Shqipëri do të takojë presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Dhe pas Shqipërisë, shtatë eurodeputetët do të udhëtojë drejt Shkupit të Maqedonisë.