Vazhdojnë përplasjet në fushatë për emrin e ri

Vazhdojnë përplasjet në fushatë për emrin e ri

Opozita maqedonase gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale vazhdon të luaj në kartën e emrit të shtetit dhe Marrëveshjes së Prespës. Lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski theksoi se personalisht asnjëherë nuk do ta përdor emrin kushtetues të shtetit me shtesë gjeografike, duke u zotuar se me të ardhur në pushtet do të tentoj që të kthej emrin e vjetër por pa treguar se si do të arrijë këtë gjë.

“Asnjëherë nga unë nuk keni për të dëgjuar emrin e vendit tonë me prapashtesë. Ne nuk u betuam e më pas të ndërrojmë mendje, ne ishim të zëshëm dhe të qartë dhe thamë, të nderuar qytetar të Republikës së Maqedonisë, ne do të bisedojmë, po, marrëveshja është e domosdoshme me fqinjin tonë jugor, por vijat tona të kuqe janë këto dhe këto. Dhe ne, nëse tani do të ishte viti 2019 dhe VMRO-DPMNE të fitonte në ato zgjedhje të vitit 2016 dhe do të formonte Qeveri, po, do të bisedonte për një marrëveshje që do të ishte shumë më dinjitoze sesa kjo që është tani, me ato vija të kuqe”, theksoi për Alsat-M, kreu i opozitës maqedonase.

Por nga partia në pushtet SDSM (Lidhja Socialdemokrate ) thonë se Marrëveshja e Prespës është proces i pakthyeshëm dhe se vendit i janë hapur perspektiva të reja të integrimit dhe zhvillimit.

 “Ajo që na duhet tani është të vazhdojmë, ta rrumbullaksojmë procesin e ratifikimit për anëtarësimin në NATO, që jemi të bindur se do të ndodhë edhe këtë vit, t’i fillojmë negociatat me BE-në dhe të tregojmë se ky shtet ka mësuar nga gabimet e veta dhe se në periudhën e ardhshme do të sigurojë edhe shtet më të sigurt dhe më shumë mundësi për të gjithë qytetarët e vet”, deklaroi zëvendëskryetarja e SDSM, Radmila Sekerinska./IBNA