Vazhdojnë hetimet lidhur me skandalin që lidhet me Prokurorinë Speciale

Vazhdojnë hetimet lidhur me skandalin që lidhet me Prokurorinë Speciale

Prokurorja e krimeve të rënda, Vilma Ruskoska theksoi se po vazhdojnë hetimet lidhur me rastin e dyshuar korruptiv për mundësinë e përfshirjes së kryeprokurores speciale, Katica Janeva dhe se akoma nuk është kryer ekspertiza e celularit të saj, që i është konfiskuar .

Një pronar televizioni dhe një biznesmen në Shkup përfunduan në paraburgim pasi që u përfshinë në shantazhimin e të dyshuarëve dhe akuzuarëve nga Prokuroria Speciale, dhe se ata këto veprime i kishin bërë duke u thirrur në emrin e kryeprokurores Katica Janeva.

Prokurorja që po heton këtë rast të njohur si “zhvatja”, Vilma Ruskoska tha se edhe disa biznesmenë të njohur kanë dhënë dëshmi se kanë qenë të shantazhuar nga rrjeti që thirrej në lidhjet e tyre me Prokurorinë Speciale.

“Kam njohuri për raste të tjera, mirëpo nuk mundem të ju them për sa persona bëhet fjalë”, theksoi Ruskoska.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE kërkoi që kryeprokurorja speciale, Katica Janeva të paraburgoset dhe se sipas tyre ajo mund të jetë arratisur, pasi që nuk është paraqitur në vendin e punës. Katica Janeva është dorëhequr nga posti pak orë pasi që Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalosi rastin “zhvatja” për shantazhimin e një të akuzuari të Prokurorisë Speciale, nga i cili ishin marrë 1,5 milionë euro për tia ndërprerë procedurën hetimore. /IBNA