Vasfije Krasniqi – Goodman sot do ta rrëfej tmerrin e luftës para Kongresit Amerikan

Vasfije Krasniqi – Goodman sot do ta rrëfej tmerrin e luftës para Kongresit Amerikan
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Vasfije Krasniqi-Goodman, sot do të rrëfejë para Kongresit Amerikan për dhunën që përjetoi nga dy burra serbë kur i kishte vetëm 16 vjeq.
Në Kongresin Amerikan Krasniqi-Godman do të shkojë me ftesë të kongresistit amerikan Eliot Engel.
Në Kongresin amerikan, përveç Vasfijes pritet të marr pjesë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga si dhe Ilir Bytyqi, i vëllai i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi që janë vrarë mizorisht nga forcat serbe në vitin 1999.
Ky takim për Vasfijen është shumë i rëndësishëm, ajo përmes Amerikës ka shpresa që diçka të ndryshojë.
“Unë jam e ftuar që të shkoj si dëshmitare e gjallë e luftës, Serbia që i ka bërë krimet në Kosovë, jam me vëllezërit Bytyqi, kështu që për mua është një takim shumë i rëndësishëm. Sepse mua rasti më ka dështuar në Kosovë, tash përmes Amerikës shpresoj që diçka drejtësia të ndryshojë, sepse Amerika ka gjasa që mund të ndërmerr për rastin tim edhe rastet e 20 mijë viktimave tjera”, tha Krasniqi-Godman.
Gruaja e cila u bë zë për të gjitha viktimat tjera, duke rrëfyer publikisht tmerrin e përjetuar më 14 prill të vitit 1999, ka edhe një mesazh për të gjitha viktimat tjera.
“Jeta vazhdon, mos të dorëzohemi, drejtësia do të vijë një ditë, ajo vonohet por do të vijë”, ka shtuar Krasniqi.
Vasfije Krasniqi-Godman para pak ditëve në Kosovë ka promovuar shoqatën “Drejtësi për të gjithë”, me anë të së cilës tenton që të arrihet drejtësi jo vetëm për vete por për të gjitha viktimat e dhunës seksuale në Kosovë./Ibna/