UNESCO alarmon Ohrin për ndërtimet pa leje

UNESCO alarmon Ohrin për ndërtimet pa leje

Javën e kaluar, UNESCO i dha Maqedonisë së Veriut afat deri në shkurt të vitit 2020 për t’iu përgjigjur pozitivisht të gjitha 19 vërejtjeve dhe për të vepruar mbi numrin e madh të ndërtimeve pa leje. Më pas, në sesionin e ardhshëm të 44-të do të vlerësojë progresin një vjeçar, nga i cili do të varet nëse liqeni do të mbetet nën mbrojtjen e kësaj organizate ndërkombëtare. UNESCO ka alarmuar se bëhet fjalë për 409 ndërtime të paligjshme që rrezikojnë qytetin që është në listën e vendeve me trashëgiminë e mbrojtur.

Komuna e Ohrit tha se do të veprojë pas alarmit të UNESCO-s. Sipas kryetarit të kësaj komune, Konstantin Gjeorgjievski, së pari duhet të përcaktohet se sa prej 409 ndërtimeve të paligjshme rrezikojnë mjedisin dhe të merret vendim se cilat objekte do të rrënohen.

“Pa asnjë lëshim ndaj askujt, do të prishen të gjitha objektet e ndërtuara ilegalisht që ndikojnë në mjedis”, theksoi Gjeorgjievski.

Edhe Qeveria në Shkup thotë se do të angazhohet për këtë problematikë.

“Do punojmë me shumë përkushtim dhe seriozisht për ta arsyetuar besimin që morëm sot. Ju siguroj se do largohen të gjitha anomalitë dhe gabimet”, theksoi ministri pa portofol, Edmond Ademi.

Organizatat vendore për mbrojtjen e ambientit jetësor thonë se  janë pesimiste se gjërat mund të ndryshojnë për mirë.

Pjesa e Maqedonisë e rajonit të Liqenit të Ohrit u pranua në Listën e Trashëgimisë Botërore të në vitin 1979, fillimisht si pasuri natyrore, dhe një vit më vonë si pasuri natyrore dhe kulturore./IBNA