Sinjale pozitive për hapjen e negociatave

Sinjale pozitive për hapjen e negociatave

Komisioneri për zgjerim Johanes Han është  shprehur i bindur se Maqedonia e Veriut para verës do të marr datën për fillimin e negociatave. Ai këtë e bëri të ditur nga forumi ekonomik në Vjenë, duke shtuar se po punohet fuqishëm që të bindin shtetet skeptike për zgjerimin e Unionit. Ai tha se vendi është i gatshëm t’i bashkëngjitet Unionit meqë tashmë nuk ka asnjë çështje të hapur me fqinjët. Han u shpreh i bindur gjithashtu se deri në fund të vitit do të hapen kapitujt e parë të negociatave e që kanë të bëjnë me sundimit e ligjit.

Edhe ambasadori evropian në Shkup, Samuel Zbogar është optimist se raporti i progresit që do të publikohet javën e ardhshme nga Komisioni Evropian do të reflektojë progresin e madh që është arritur në Maqedoninë e Veriut. “Unë jam i bindur se raporti do të rekomandojë hapjen e negociatave me Republikën e Maqedonisë së veriut”, theksoi Zbogar.

Sipas tij, vendimin për hapjen e negociatave e sjellin vendet-anëtare të BE-së mbi bazë të raportit të KE-së.

Kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti i ri Stevo Pendarovski kanë thënë se do të veprojnë me një strategji të përbashkët në planin e integrimit të vendit në strukturat evroatlantike. Ata janë shprehur optimistë se vendi do të marrë datën për hapjen e negociatave me BE-në. Por megjithatë shumë analistët politik janë skeptikë se mund të ndodhë një gjë e tillë, megjithatë ka edhe nga ata që presin një vendim pozitiv.

Sipas ekspertëve, nënshkrimi i një pjese të madhe të ligjeve nga presidenti i ri i vendit, Stevo Penderovski, do t’i japë shtytje procesit të integrimeve të vendit, por megjithatë, ata druajnë se periudha njëmujore është kohë e shkurtër që këto ligje të zbatohen në praktikë.

“Pavarësisht reformave, vlerësimi i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut më tepër pritet të jetë politik, për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit, që ishte një proces i rëndësishëm për rajonin”, nënvizon Mersel Bilalli, profesor universitar dhe këshilltar i jashtëm i kryeministrit Zoran Zaev.

KE javën tjetër do të publikojë raportin e progresit për Maqedoninë e Veriut, që do të jetë vendimtar për çeljen e negociatave./IBNA