Tsipras nga Bukureshti: Integrimi i Shqipërisë në BE është në rrezik

Tsipras nga Bukureshti: Integrimi i Shqipërisë në BE është në rrezik

Kryeministri grek aludon për diçka që sipas tij po bëhet në Shqipëri, kundër minoritetit grek, por nuk sqaron se çfarë saktësisht. Kurse paralajmëron se nëse kjo vërtetohet, rruga e Shqipërisë drejt BE do të bllokohet. Lind pyetja? Mos vallë kemi të bëjmë me hedhje benzinë zjarrit dhe kryeministri grek furnizohet me informacione të pasakta dhe të paverifikuara? A i shërben kjo marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve? Sigurisht që jo, ndaj është e udhës që deklaratat të bëhen sa më të kujdesshme dhe vetëm pas verifikimesh të plota

BUKURESHT – Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras paralajmëroi Shqipërinë nga Bukureshti se integrimi i saj në BE është në rrezik, duke aluduar se diçka negative po ndodh me minoritetin grek në vendin tonë, por pa dhënë detaje e duke pohuar se ende nuk e ka vërtetuar këtë.

Deklaratat e z.Tsipras u bënë sot në takimin e shtatë katërpalësh Greqi, Bullgari, Serbi, Rumani që u u zhvillua në Bukuresht.

Në fjalën e tij, z.Tsipras evidentoi dhe vlerësoi disa arritje sipas tij të shteteve pjesëmarrëse në këtë samit.

Po ashtu ai dha vlerësime edhe për Maqedoninë e Veriut duke theksuar se është në rrugë të mbarë drejt integrimit evropian.

Menjëherë më pas, shtoi: “Do të isha i lumtur të thoja të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë”, – tha z. Tsipras duke shtuar: Kohët e fundit, shohim disa zhvillime që nuk na pëlqejnë”.

“Sot mësova se ka një zhvillim negativ sa i takon minoriteti grek në Shqipëri. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një gjë negative”, – tha z.Tsipras, pa dhënë detaje se çfarë ka ndodhur me minoritetin grek në vendin tonë.

“Kjo është një çështje që fatkeqësisht në këto momente nuk na jep optimizëm për perspektivën vendimtare evropiane të këtij vendi që po përballet me sfida të mëdha dhe të cilat duhet t’i përmbushë”, – tha më tej kryeministri grek, duke paralajmëruar se nuk do të lëvizet në drejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE “nëse verifikojmë këtë informacion që kemi”.

Kryeministri grek aludon për diçka që sipas tij po bëhet në Shqipëri, kundër minoritetit grek, por nuk sqaron se çfarë saktësisht. Kurse paralajmëron se nëse kjo vërtetohet, rruga e Shqipërisë drejt BE do të bllokohet. Lind pyetja? Mos vallë kemi të bëjmë me hedhje benzinë zjarrit dhe kryeministri grek furnizohet me informacione të pasakta dhe të paverifikuara? A i shërben kjo marrëdhënieve mes dy vendeve dhe dy popujve? Sigurisht që jo, ndaj është e udhës që deklaratat të bëhen sa më të kujdesshme dhe vetëm pas verifikimesh të plota.