TRITOL LINJËS SË ENERGJISË. KUSH PO I VË BENZINË ZJARRIT?

TRITOL LINJËS SË ENERGJISË.  KUSH PO I VË BENZINË ZJARRIT?

ANALIZË/ Persona të panjohur hodhën në erë një shtyllë të linjave që transmetojnë energjinë elektrike nga Tirana në Podgoricë dhe Prizren, duke rrezikuar furnizimin për të gjithë vendin. Ministria e Brendshme e cilësoi akt terrorist, qeveria dhe PS shkuan më larg duke vënë gishtin te PD dhe LSI. Opozita e hedh poshtë me bindje, kreu i deputetëve socialistë, Balla, tërheq paralele mes “Gërdecit”, “21 Janarit” dhe tritolit në Thumanë. Kush po e ndez edhe më shumë situatën e nxehtë në Shqipëri? Dhe pse qeveria vë gishtin tek opozita për hedhjen në erë të linjës energjetike?

Qeveria shqiptare doli dje me një mesazh ku vinte gishtin tek opozita, lidhur me zbulimin nga punonjësit e OST, të dëmtimit të një shtylle tensioni të lartë në Krujë. Punonjësit e OST, pranë fshatit Krastë, Thumanë, Fushë Krujë, konstatuan se njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë (400 KW), Nr. 65, e linjave Tiranë–Podgoricë dhe Tiranë-Prizren ishte dëmtuar me lëndë, të dyshuar eksplozive”.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënëse e Qeverisë, ndonëse pa përmendur emra, qartësisht vinte gishtin tek opozita në deklaratën e saj pasditen e djeshme kur tha se vënia e tritolit te linja e energjisë elektrike është e nxitur nga e njëjta dorë:

“Pas 30 vjetësh kapituj sherresh e rrëmujash të nxitura nga e njëjta dorë, dihet kush u bie shtyllave nga tërbimi i dëshpërimit”, – u shpreh Spiropali, duke paralajmëruar: “E keni kot, hidhuni përpjetë sa të doni, këtë vend mbrapa dot s’e ktheni”.

PD: Neveri për propagandën me tritol të Edi Ramës

Partia Demokratike e cilësoi të papranueshëm aludimin e qeverisë se incidenti është nxitur prej saj dhe në një deklaratë të posaçme tha se “hedh poshtë me neveri shpifjen e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit se pas shpërthimit me tritol të shtyllave të tensionit të lartë qëndron PD dhe opozita”.

Për PD, “një shpifje e tillë tregon dëshpërimin e thellë të shefit të Taulantit dhe të Elisës, i cili e ka lidhur fatin me krimin dhe porositësit e tritolit”.

Ndërsa bën thirrje që të zbulohen autorët: “Nëse ai nuk ka dorë në këtë propagandë helmuese, Edi Rama, i cili ka kontroll të plotë mbi policinë, shërbimin sekret dhe prokurorinë, duhet të zbulojë pa vonesë ata që kanë urdhëruar dhe kanë vendosur tritolin në shtyllën e tensionit të lartë”.

PD, thotë se këto “shpifje djallëzore”, po bëhen për të nxitur urrejtjen dhe për të rritur konfliktin në vend.

Por edhe nëse Spiropali do të pretendonte se nuk ka akuza ndaj opozitës, atë e përmbysi Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist, i cili foli me emra në akuzën e tij: “Aktet e dhunës të komanduara nga Basha dhe Berisha, sikurse rikthimi i sotëm tek tritoli ndaj shtyllave të tensionit të lartë, synojnë të nxijnë fytyrën e Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve”, – u shpreh z.Balla.

Ai i mëshoi akuzave kur tha se PD dhe LSI po nxisin gjithandej dhunë: “Sot jemi dëshmitarë që prej ditësh PD dhe LSI kanë ndërmarrë një sulm kundër të ardhmes së Shqipërisë. Sulmit më të furishëm kundër reformës në drejtësi dhe ëndrrës tonë Europiane. Nëse do të fitonte rruga e dhunës e zgjedhur nga Basha, e sigurt është se Shqipëria do të humbte”, – tha z.Balla duke shtuar: “Të gjitha maskat kanë rënë. Ata që vranë protestuesit para 8 vitesh, ata që shfarosën Gërdecin, tani duan të vijnë përsëri në pushtet përmes forcës, dhunës dhe sot edhe me tritol”.

Konflikti po mbahet i ndezur

Deklaratat e sotme nga qeveria, pa folur ende asnjë ekspert hetimor, as nga policia dhe as nga prokuroria, ishte dukshëm i nxituar. Politizimi i ngjarjes, është edhe më i papranueshëm, përveçse nëse qeveria ka informacione që nuk i tregon, se në shpërthimin te linja e transmetimit ka dorë opozita. Nëse është kështu, deklaratat politike nuk mjaftojnë, por duhet që drejtësia të merret me autorët.

Por, sa kohë nuk ka autorë dhe as të dhëna të besueshme që të çojnë në një vepër opozitare, deklarata të tilla si ato të Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit, i pari në emër të PS, forca mazhoritare në vend dhe e dyta në emër të qeverisë që drejton vendin, janë më së paku mbajtje në nivelin aktual të tensionit politik i cili mund të prodhojë përshkallëzim të urrejtjes mes kampesh politike dhe njerëzve që i mbështesin ato.

Ndaj, maturia në këtë situatë është e domosdoshme për të mos ushqyer me shkëndija të rrezikshme, kaosin në të cilin është futur arena politike shqiptare dhe ku janë përfshirë dhe përballen me të, duan apo nuk duan, qytetarët shqiptarë.