Trendi i rritjes së ikjes së qytetarëve nga vendi, pushteti dhe opozita me akuza

Trendi i rritjes së ikjes së qytetarëve nga vendi, pushteti dhe opozita me akuza

Largimi i qytetarëve nga vendi është një nga temat e fushatës së zgjedhjeve presidenciale. Pushteti dhe opozita kanë akuzuar njëra tjetrën për ikjen e qytetarëve nga vendi. Ministrja  e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska thotë se faji për këtë është tek VMRO-DPMNE e cila ka qeverisur mbi 10 vjet me vendin. “Gjithçka është pasojë e qeverisjes së keqe të qeverisë së kaluar që nuk arriti të ndalë eksodin dhe rënien e natalitetit, prandaj tani ndihen vetëm pasojat”, nënvizon ministrja Carovska. Në këtë temë është përfshirë edhe kryeministri Zoran Zaev, por që sipas tij, ikja e qytetarëve jashtë shtetit është ulur, dhe madje ai beson se do të arrijë që ti kthejë edhe ata që kanë ikur.

Deputeti i VMRO-DPMNE,  Vlatko Gjorçev tha se vendi po përballet me katastrofë demografike si asnjëherë më parë, sepse numri i personave që ikin nga vendi viteve të fundit është më i larti në histori, ndërkaq numri i foshnjave të lindura gjatë muajit Janar të këtij viti ka rënë për rreth 20% krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

“Po ndodh një eksod i paparë, gjithmonë ka pasur migrim por kjo që po ndodh për momentin është katastrofë demografike, ekonomike e paparë ndonjëherë”-tha Gjorçev, që sipas tij, Qeveria është fajtore për këtë situatë për shkak të politikave të këqija në planin ekonomik.

Ekspertët për çështje ekonomike thonë se Maqedonia e Veriut shënon migracionin më të lartë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. “Në kohë që ne kemi rreth 20 mijë aplikime brenda vitit në ambasadat e huaja, ndonëse në bazë të informacioneve që kam vetëm në ambasadën gjermane kemi afër 12 mijë aplikime të proceduara nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të ikur nga shteti është paradoksale të flitet për politika efektive në planin ekonomik dhe ulje të shkallës së papunësisë”, thotë Visar Ademi, ekspert i ekonomisë. Sipas tij, Qeveria duhet të ndërmarrë masa emergjente për parandalimin e ikjes masive të të rinjve nga vendi./IBNA