Trajkovic: Dorëheqja e Haradinajt do të sjellë pasoja të mëdha për Serbinë

Trajkovic: Dorëheqja e Haradinajt do të sjellë pasoja të mëdha për Serbinë
 Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, Rada Trajkovic, ka thënë se dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës do të sjellë pasoja të mëdha për Serbinë.
E këtë ajo e arsyeton me faktin se, sipas saj, kjo do ta shtyjë fillimin e dialogut edhe për 90 ditë, ndoshta edhe më shumë. E, sipas saj, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë dhe zgjedhjet e rregullta të vitit të ardhshëm në Serbi do të kenë pasoja negative në dialog.
Sipas saj, taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet, për shkak se qeveria teknike e cila mund të formohet në Kosovë nuk ka kompetenca për ta bërë këtë. Madje, sipas saj, kushdo që vjen në krye të një qeverie teknike nuk mund të ndërmarrë një veprim të tillë, për shkak se rrezikon ta humbasë popullaritetin para zgjedhjeve.
Trajkoviv, e cila është kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, ka thënë se dorëheqja e Haradinajt ka bërë që institucionet të kenë presion që taksa të mos hiqet.
“Kjo është goditja e tij e fundit dhe më e forta sa i përket refuzimit për heqjen e taksës dhe nuk e shoh se dikush do ta pezullojë atë, se kjo do të thoshte rënie e popullaritetit. Ramushi, me strategji, ngriti pritjet e votuesve dhe në vend se të riformatohet qeveria, do të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ajo për Danas.
Trajkovic, gjithashtu, shtoi se “duke qenë se zgjedhjet mbahen gjatë procesit të mbajtjes së negociatave, ka shumë gjasë që ato nuk do të mbahen as deri në fund të vitit”.
Ndërsa sa i përket reagimit të presidentit serb, Aleksandër Vucic, ajo tha se deklaratat e tij nuk janë të vërteta por ai po tentonte të ushtronte presion ndaj serbëve.
“Nuk ka presion ndaj të tjerëve, vetëm ndaj serbëve. Kështu flet të paktën publikisht Aleksandër Vuçiq, i cili erdhi në pushtet për shkak se i premtoi bashkësisë ndërkombëtare zgjidhje për çështjen e Kosovës”, tha Trajkovic duke shtuar se “Ai nuk ka guxim ta bëjë këtë”./Ibna/