Tensione politike në Shkup, Kuvendi dështoi të heq imunitetin e deputetit ish-kryeparlamentarit Veljanovski

Tensione politike në Shkup,  Kuvendi dështoi të heq imunitetin e deputetit ish-kryeparlamentarit Veljanovski

Kuvendi i Maqedonisë Veriore mbrëmë vonë ishte thirrur për ti hequr imunitetin e deputetit, ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, i cili dyshohet nga prokuroria si njëri nga organizatorët e ndërhyrjes së dhunshme në Kuvend më 27 prill të 2017.  Seanca dështoi mes debateve të ashpra, pasi që në mesnatë skadoi afati i procedurës për  heqjen e imunitetit. Kjo situatë pasoi pasi që deputetët e VMRO-DPMNE përmes pushimeve të kërkuara disa minutëshe arritën që të dështojnë votimin.

Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, Nikola Micevski tha se vendimi për heqjen e imunitetit të deputetit nënkupton ndjekje politike. Sipas tij, maxhoranca u zotua për pajtim, por nuk po ndodhë kjo.

Por deputeti i maxhorancës nga koalicioni i SDSM, Pavle Bogoevski theksoi se procedura për heqjen e imunitetit është e rregullt dhe nuk ka shkelje ligjore, pasi që gjykata ka kërkuar që ti hiqet imuniteti Veljanovskit për tu hetuar për rastin e 27 prillit.

Veljanovski bashkë me ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski javën e kaluar janë ndaluar me dyshimin  se janë pjesë e organizimit të ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Mes tyre i akuzuar është edhe ish-kryeministri i arratisur Nikola Gruevski. Më 27 prill të 2017 grupe qytetarësh dhe huliganësh hynë në Kuvend, pasi që iu hapën dyert, duke ushtruar dhunë ndaj deputetëve që formuan koalicionin qeverisës aktual. /IBNA