Të rinjtë presin më shumë nga Brukseli

Të rinjtë presin më shumë nga Brukseli

Studentë në Maqedoninë e Veriut  kërkojnë që BE të jetë e përkushtuar për të mbështetur vendin e tyre. Ata janë përfshirë në debatet e brendshme politike se a do të ketë datë për fillimin e bisedimeve me BE-në në tetor të këtij viti.

Anila Pajaziti, studentet e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë me një grup studentësh i kanë adresuar kancelares gjermane Angel Merkel një peticion dhe letër të hapur që të ndihmojë që vendi të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. “Ne e dorëzuam këtë letër në ambasadën gjermane. Kërkojmë që pa hezitim dhe pa vonesë, Maqedonisë së Veriut në tetor t’i përcaktohet datë për fillimin e negociatave. Për ne si qytetarë dhe studentë është shumë e rëndësishme, rinovimi i premtimit të BE-së”, thotë studentja nga Tetova.

Por edhe Sanja Mladenovska, studente nga Shkupi thotë se BE duhet të krijoj mundësi dhe kushte që rinia të mos largohet, por të krijoj, zhvillohet e të punojë në vendlindjen e saj. “Nëse nuk ka perspektivë dhe vazhdon një situatë e tillë e paqartë, sigurisht se të gjithë do të ikin. Kështu po krijohen rrethana të izolimit dhe mungesës së perspektivës”, thotë Sanja Mladenovska.

Edhe autoritetet shtetërore në Shkup janë optimist se BE do të vendos pozitivisht për Maqedoninë e Veriut, duke mos u mbyllur procesi i zgjerimit. Kryeministri Zoran Zaev në disa raste ka paralajmëruar se në tetor do të ketë datë për hapjen e negociatave dhe se vendi meriton një vendim të tillë, pas gjithë punëve të kryera nga qeverisja aktuale, siç janë marrëveshjet me fqinjtë, përfshirë zgjidhjen e kontestit të emrit, si dhe reformat e brendshme./IBNA