Takimi i Parisit një shpresë për dialogun Kosovë-Serbi

Takimi i Parisit një shpresë për dialogun Kosovë-Serbi
Procesi për normalimizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka kohë që nga ngecur. Pas takimit të Berlinit, përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit pritet të takohen me 1 korrik në Paris, me ftesë të presidentit, Emanuel Macron.
Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime si dhe për të arritur një marrëveshje paqësore dhe përfundimtare mes dy vendeve.
Marrëveshja duhet të parasheh njohjen e ndërsjellë të të dy vendeve, ndërsa zyrtarisht më shumë detaje nuk janë dhënë.
Diplomati dhe politologu i njohur  amerikan dhe njëri nga njohësit më të mirë të Ballkanit, David Phillips thotë se, një marrëveshje në mes të Serbisë dhe Kosovës duhet të bazohet në transferimin apo delegimin e pushtetit në komunat me shumicë serbe, e jo në shkëmbime territoriale.
“Nëse presidentët e Kosovës dhe Serbisë arrijnë një marrëveshje të fshehtë për të normalizuar marrëdhëniet përmes shkëmbimit të territoreve, kjo do të polarizonte më tej politikën e Kosovës, do të rriste ndasitë sociale, do të armiqësonte aleatët ndërkombëtarë, e do të shkaktonte trazira ndëretnike. Bisedimet kërkojnë kujdes dhe larg syrit të publikut”, është shprehur ai.
Sipas tij, çdo marrëveshje midis Kosovës e Serbisë pa miratimin e Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara do të dështojë.
Procesi i bisedimeve i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, mbetet i pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për të biseduar pa u hequr tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se udhëheqësit e institucioneve do të jenë të bashkuar në zgjidhjen e çështjeve me Serbinë dhe asnjëherë nuk do të ketë diskutime për shtetin dhe sovranitetin.
Ai i ka bërë këto komente pas takimit të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, për të diskutuar zhvillimet pas takimit të Berlinit dhe para atij që pritet të mbahet në Paris me organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli tha se Kosova do të shkoj në Paris dhe atë me vetëm një qëllim, për të siguruar njohjen e saj./Ibna/