Takimi i Berlinit, një mundësi për Kosovën dhe Serbinë

Takimi i Berlinit, një mundësi për Kosovën dhe Serbinë
Kancelarja  gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron,  sot do të takojnë udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, për të diskutuar të ardhmen e tyre evropiane.
Në fokus të këtij takimi do të jetë çështja e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nisma e të dy udhëheqësve të lartë evropianë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar, kur bisedimet u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Udhëheqësit serb kanë deklaruar se bisedimet nuk do të rifillojnë pa heqjen e barrierave tregtare, ndërsa qeveria kosovare është zotuar se tarifat nuk do të hiqen deri në njohje reciproke.
Presidenti Thaçi, tha të dielën se takimi nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë së veriut dhe Greqisë.
“S’pres aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën. Por, gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, theksoi ai.
Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj tha se, ky takim është një mundësi e mirë që liderët e rajonit të flasim hapur për sfidat dhe aspiratat e përbashkëta drejt rrugës euro – atlantike.
“Kosova në vazhdimësi ka luajtur rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm karshi detyrimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe në përputhje me vlerat evropiane.
Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, paqe dhe stabilitet në rajon e më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetëveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj!”, u shpreh Haradinaj para takimit.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se pret që në Berlin të ndodhet nën trysni për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe që “Serbia të mos fitojë asgjë”. Aty do të flitet për tarifat dhe vazhdimin e bisedimeve, Asnjë zgjidhje nuk është në horizont”, ka thënë presidenti serb, i cili para se të udhëtojë për në Berlin, është këshilluar me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë një takimi në Kinë./Ibna/