Takim i fshehtë mes Kosovës dhe Serbisë në Berlin

Takim i fshehtë mes Kosovës dhe Serbisë në Berlin
Të mërkurën mbrëma, larg mediave dhe pa asnjë paralajmërim, në Berlin të Gjermanisë është zhvilluar një takim në mes të Kosovës e Serbisë.
Për takimin në fjalë  nuk janë njoftuar as përfaqësuesit e ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj.
Palën e Kosovës në këtë takim e kanë përfaqësuar ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi dhe shefi i stafit të kryeministrit Haradinaj, Selim Selimi.Pjesë e takimit ka qenë edhe Michael O’Riley, ish-avokat i Haradinajt.
Ndërsa nga pala serbe delegacionin e ka kryesuar Marko Gjuriq Drejtor në i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë.
Avni Arifi i cili ka qenë pjesë e këtij takimi, ka thënë se në këtë takim nuk kanë pasur kompetenca që të flasin për çështje politike.
 “I tërë takimi ka pasur të bëjë vetëm për të arritur te dialogu teknik ku ka mbet procesi, pra se si të vazhdojmë tutje. Kurse për pjesën politike nuk kemi pas kompetenca me fol sigurisht as për taksën. Debati është bërë për atë që dialogu është bllokuar shtatë muaj para taksës më, 15 mars 2018. Me gjithë insistimin tonë drejtuar BE-së në maj ata nuk e kanë vazhduar, sepse zyra e Mogherinit është shndërruar në zyrë të Serbisë” ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, ajo çfarë Kosova ka kërkuar nga Serbia në këtë takim ka qenë që të mos ketë kushtëzime të dialogut dhe që bisedimet të vazhdojnë në Samitin e Parisit.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kritikuar në vazhdimësi për mungesë transparence. Jo rrallëherë është aluduar edhe për takime të fshehta apo sekrete ndërmjet palëve.
Agjencia e lajmeve Ibna mëson se takimi në fjalë është inicuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, ndërsa qëllimi është që palët të binden për të marrë pjesë në Samitin e Parisit.
Gjithashtu janë duke u diskutuar edhe propozimet për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. /Ibna/