Tabelat dygjuhëshe shndërrohen në incident të ri mes Shqipërisë dhe Greqisë

Tabelat dygjuhëshe shndërrohen në incident të ri mes Shqipërisë dhe Greqisë

Nga Edison Kurani

Një deklaratë publike e partisë që mbron të drejtat e çamëve në Shqipëri, ku kritikonte qeverinë se ka lejuar vendosjen e tabelave në gjuhën greke në jug të vendit, pasoi pak orë më vonë, me një ndërhyrje të policisë e cila i hoqi tabelat.

Çfarë ka ndodhur

Bashkia e Finiqit, thotë se bazuar në legjislacionin shqiptar dhe në kuadër të lehtësirave që i bëhen minoriteteve në Shqipëri, në zonat e jugut ku ka përqendrim të madh të popullsive minoritare, në këtë rast, nga minoriteti grek, janë vendosur tabela orientuese në gjuhën greke dhe shqipe, për fshatrat dhe lokalitetet e tjera përreth.

Tabelat janë vendosur nga pushteti lokal, pranë rrugës kombëtare në zonat Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol. Bëhet fjalë për sinjalistikë rrugore me emërtime të qendrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe atë shqipe.

Kjo praktikë është ndjekur prej vitesh dhe deri tani nuk kishte pasur përfshirje të çështjes në debate politike.

Ankesa e PDIU

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila është aktualisht pjesë e koalicionit opozitar, e përdori politikisht praninë e tabelave në greqisht dhe shqip në fshatrat e jugut.

Ajo kritikoi qeverinë duke vlerësuar se po bashkohet me shqetësimin e banorëve.

Për PDIU, “vendosja e tabelave në greqisht në zonën e Sarandës, Delvinës e Konispolit, Finiqit e Dropullit përbën kapitullimin e plotë të shtetit shqiptar dhe një provokim të paprecedentë ndaj kombit tonë.

PDIU lëshoi ultimatum duke kërkuar që tabelat të hiqen: “Nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn në kohë, tregon se ka gisht në cënimin e sovranitetit të vendit”, – tha PDIU në deklaratën e posaçme.

Ajo madje lëshoi dhe një paralajmërim të fortë: “Çdokush të jetë i qartë se shqiptarët nuk do të rrinë duarkryq përballë këtij skandali dhe për pak ditë, kjo shëmti do t’i përkasë historisë”.

Qeveria shkul tabelat

Dhe duket se ultimatumi i PDIU u dëgjua shpejt nga qeveria, sepse orët e fundit, tabelat u hoqën në shumë zona të jugut (foto lart dhe më poshtë).

Autoriteti Rrugor Shqiptar tha të dielën (05.05.2019) se ka hequr gjatë natës 35 tabela. ARSH nuk tha se tabelat ishin të paligjshme, por sipas saj, “ishin vendosur jashtë standardeve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës, Autoritetit Rrugor Shqiptar”.

Po ashtu, ARRSH “konstatoi se 35 tabela të vendosura në këtë aks nacional, nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në kodin rrugor të RSH për mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonte shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmëruese në këtë aks”, – tha ARRSH përmes një deklarate të posaçme.

Duke argumentuar heqjen e tabelave, ARRSH tha po ashtu se ato “ulnin sigurinë rrugore të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës”.

Tabelat, gjuha greke është vendosur e para

Duket se i gjithë problemi i tabelave është sepse gjuha greke është vendosur parësore dhe ajo shqipe, dytësore.

Këtë e pohon dhe ARRSH në deklaratën e saj: “U konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi përsa i përket renditjes së emërtimeve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur”, – tha ARRSH përmes një deklarate të posaçme

Këtë e ka konstatuar dhe ish-rektori i Universitetit të Tiranës, dekan i fakultetit të Gjuhës Shqipe, Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

Deputeti Rrokaj thotë se duhet të ishte e kundërta, pra në krye shqip dhe e dyta në greqisht: “Gjuhët e pakicave gëzojnë të drejta të përdorimit lokal, por jo të jenë parësore karshi gjuhës zyrtare”.

Rrokaj thotë edhe se “kjo është e qartë edhe në Konventën Kuadër të KE-së për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, ratifikuar me ligjin nr 8496, dt 3.6.1999”.

Megjithatë vitin e kaluar u miratua ligji i ri për Pakicat Kombëtare.

Z.Rrokaj ka rezerva për të: “Mbrojtja e të drejtave të pakicave, në rastin konkret ajo greke, nuk mund të bëhet në dëm të prestigjit të gjuhës së shumicës që është gjuhë zyrtare. Ligji për Pakicat Kombëtare, që u miratua në Kuvend para gati një viti kishte shumë probleme të kësaj natyre, të cilat i kam ngritur gjatë diskutimit të tij. Pata theksuar, ndër të tjera, lidhur me përgjegjësitë që do kishte Këshilli i Ministrave dhe institucionet e tjera për zbatimin korrekt të tij. Ky është një rast i paprecedentë, kur ligji po ndëshkon prestigjin e gjuhës së shumicës”, – thotë z.Rrokaj.

Në Greqi, tabelat edhe në gjuhën shqipe

Nëse në Greqi, i afrohesh zonave kufitare me Shqipërinë, do të shikosh se ka vazhdimisht tabela sinjalistike të cilat janë edhe në gjuhën shqipe. Kjo konstatohet në zonën afër Kapshticës dhe tek zona afër Kakavijës. Po ashtu tabela në shqip gjenden dhe në zona të tjera të Greqisë.

Z.Rrokaj thotë se edhe kjo nuk është e drejtë: “Tabelat rrugore edhe në gjuhën shqipe që gjenden në Prevezë, Igumenicë, Filat etj., edhe kjo e drejtë nuk është e drejtë”, thotë z. Rrokaj.

Tabelat, me gabime drejtshkrimore

Tabelat e vendosura, kishin gabime drejtshkrimore të cilat në disa raste humbnin dhe kuptimin e emërtimeve të qendrave të banimit.

Ne ju sjellim më poshtë disa shembuj.

Kështu në gjuhën greke është shkruar “Agjios Pandelimonas”, por në shqip është shkruar Pandalejmon.

Në greqisht është shkruar Halio, kurse në shqip, Halo.

Në greqisht është shkruar Kuluritsa ashtu sikurse duhet dhe në shqip, por në shqip është shkruar Kulluricë.

Reagon komuniteti minoritar

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek (ΟΜΟΝΟΙΑ), dolën me një qëndrim të përbashkët të dielën. Ata e quajtën “provokim të rëndë nga qeveria “Rama” shkatërrimin e tabelave dygjuhëshe të orientimit me emërtimet e fshatrave të komuniteteve helenike në njësi administrative nën kompetencën e bashkisë së Finiqit, në zonën më gjerë të Sarandës”.

Deklarata shton se këto tabela ishin vendosur kohët e fundit nga shërbimet e bashkisë Finiq, duke “ndërmarrë këtë akt plotësisht legal dhe të argumentuar me praktikat ligjore që i referohen Konventës Kuadër të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, dhe që përbën pas ratifikimit respektiv nga Parlamenti i Shqipërisë, pjesë të legjislacionit të brendshëm”.

Deklarata thekson se vendosja e këtyre tabelave edhe pse u bë nga pushteti lokal, në fakt përbën detyrim të qeverisjes qendrore, në zbatim të legjislacionit të sipërpërmendur.

Për PBDNJ dhe OMONIA, veprimi i qeverisë që shkuli tabelat me polici, është bashkim “me grupe që urrejnë Minoritetin Etnik Grek, gjuhën greke dhe që duke difuzuar nacionalizmin synojnë frikësimin dhe në fund të fundit çrrënjosjen dinake nga toka amtare të pjesëtarëve të minoriteti etnik grek”.

Deklarata e quan dhe ndërhyrje në vetëqeverisjen vendore dhe sugjeron se akti është abuziv, pasi “nëse Qeveria do të donte të ndryshonte formën e tabelave do të kishte hequr vetëm syprinat me mbishkrime që ato të korrigjoheshin, por ka shkulur krejt trupat e tyre”.

Deklarata po ashtu konsideron të papranueshëm faktin se ndërhyrja policore me urdhër të qeverisë, u bë pa njoftuar bashkinë dhe pa kërkuar një konsultë me të.

PBDNJ dhe OMONIA denoncojnë dhe faktin se shkulja e tabelave është dëm pasuror që i bëhet bashkisë Finiq, “e cila ka financuar me procedura të rregullta dhe legale prodhimin dhe instalimin e tyre”.

Reagon dhe Athina zyrtare

Incidenti ka sjellë reagim edhe nga autoritetet e Greqisë. Ajo kërkon që të zbatohet legjislacioni shqiptar mbi të drejtën për vendosjen e tabelave dygjuhëshe.

Lidhur me heqjen e shenjave dygjuhëshe në fshatrat minoritare të bashkisë së Finiqit, burimet diplomatike bëjnë të ditur se ambasada e Greqisë në Tiranë dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, janë në kontakt me autoritetet shqiptare dhe kanë vënë në dukje pozicionet e qarta të Greqisë për këtë çështje.

Ndizet sërish debati mes dy qinjëve. Pse kjo frymë negative?

Tabelat rrugore të vendosura nga pushteti lokal në jug të vendit, sipas autoriteteve, kishin disa probleme. E para, pengonin tabelat që ndihmojnë shoferët, së dyti, shqipja nuk është mbi atë greke dhe së treti, kanë gabime drejtshkrimore.

Të gjitha këto, janë mëse të riparueshme.

Por ashtu si në plot raste të tjera në vite, edhe këtë radhë, një problem që mund të evitohej duke pasur komunikim dhe bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe atij qendror, u shndërrua në sherrnajë politike dhe u pasua me ndërhyrje policore, duke nxitur frymën negative edhe në rrjete sociale.

A mund të evitohej kjo? Sigurisht. Por as këtë herë nuk ndodhi kështu.

Ndaj të përforcohet bindja gjithnjë e më shumë se ka një tendencë të qartë se disa nuk duan që Shqipëria dhe Greqia të kenë marrëdhënie të shkëlqyera mes tyre. Nuk duan që fqinjët e përhershëm të shkojnë mirë mes tyre.

Ka ardhur koha që të përmbyset kjo praktikë e dëmshme shumëvjeçare dhe lidhjeve mes dy vendeve t’i jepet një frymëmarrje e re në dobi të të gjithëve, shqiptarë apo grekë qofshin! /IBNA/