Tabelat dygjuhëshe, kryetari i PBDNJ 5 pyetje dhe një kërkesë për z.Rama

Tabelat dygjuhëshe, kryetari i PBDNJ 5 pyetje dhe një kërkesë për z.Rama

Tabelat dygjuhëshe në zonat jugore ku jeton minoriteti grek në Shqipëri, vazhdojnë të përfshijnë politikën në vend.

Kryetari i partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, doli sot me një qëndrim zyrtar duke kritikuar veprimet shtetërore në këtë çështje.

Z.Dule shprehu indinjatën duke dënuar “me forcë aktin vandal të heqjes së tabelave dy gjuheshe në bashkinë Finiq”. Për z.Dule, ky akt përbën “shkelje flagrante të të drejtave të pjesëtareve të Minoritetit Etnik Grek, siç ato burojnë nga Konventa kuadër e Këshillit të Europës, nga legjislacioni i vendit sikurse edhe nga politikat dhe praktikat evropiane”.

Z.Dule komentoi dhe qëndrimet e djeshme të Kryeministrit (lexoni këtu):

“Kryeministri Rama, “me qëndrime hiene natën dhe qengji ditën”, pretendoi dje arsye teknike qe çuan në këtë akt të papranueshëm dhe premtoi rivendosjen e tabelave. Edhe në rast se shterojmë vullnetin tone politik pozitiv dhe i konsiderojmë këto deklarata si të sinqerta, disa pyetje kërkojnë përgjigje”, – tha z.Dule duke i renditur ato:

1.Përse tabelat u hoqën natën nën një klimë terrori dhe pranie të paarsyeshme policore?

2.Përse nuk i parapriu këtij akti komunikimi dhe bashkërendimi institucional i veprimeve të Qeverisë me pushtetin vendor?

3.Përse Qeveria e zotit Rama nuk i ka vendosur vetë tabelat dygjuhëshe në hapësirat ku jeton tradicionalisht dhe në numra të konsiderueshëm Minoriteti Etnik Grek siç e kërkon Ligji për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare i votuar që në tetor 2017?

4.Përse Qeveria Rama nuk ka miratuar ende aktet nënligjore, të domosdoshme për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, në një kohë qe e kishte detyrim ligjor qe duhej plotësuar deri ne maj 2018?

5.Përse nuk ka marrë asnjë masë për autorët e prishjeve sistematike të tabelave dygjuhëshe në aksin Kakavie-Gjirokastër? Përse nuk janë rehabilituar ato?”

Kryetari i PBDNJ, më tej denoncoi “gjuhën e urrejtjes, por edhe të klithmave për përplasje etnike qe u artikuluan publikisht gjatë këtyre ditëve nga individë, grupe apo edhe forca politike”. Dule kërkoi që Prokuroria të kryejë “shqyrtimin serioz të tyre”.

Në fund. Z.Dule bëri dhe një kërkesë ndaj Qeverisë: “I kërkojmë Qeverisë ridimensionimin e politikave për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të Minoriteteve në përputhje edhe me frymën dhe germën e vlerësimit të katërt të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, i cili u publikua në muajin mars 2019, duke amenduar dhe plotësuar legjislacionin, duke ngritur strukturat e duhura zbatuese, duke aplikuar projekte sistematike për informimin dhe formimin e opinionit publik në lidhje më të drejtat e Minoriteteve”. /ibna/