Speciale mbi zgjedhjen e Stevo Pendarovskit si president i Maqedonisë së Veriut

Speciale mbi zgjedhjen e Stevo Pendarovskit si president i Maqedonisë së Veriut

Kandidati i mbështetur nga socialidemokratët dhe koalicioni, Stevo Pendarovski mbrëmë shpalli fitore pas publikimit të rezultateve në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Kjo është fitorja e shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së veriut të cilët pavarësisht të përkatësisë etnike apo politike u bashkuan dhe tha vazhdojmë përpara dhe asnjëherë dhe kurrë më regjim”, tha Pendarovski.

Kryeministri dhe lider i SDSM-së, Zoran Zaev tha se rezultati i zgjedhjeve tregoi se vendi ka zgjedhur rrugën drejt NATO-s dhe në BE-së.

“Si pushtet qendror dhe lokal në bashkëpunim me presidentin e ri mbesim të përkushtuar në prioritetet tona, anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe fillim të negociatave me BE-në, por i japim fund edhe ndarjeve të brendshme”, premtoi Zaev.

Për Pendarovskin, rezultati i zgjedhjeve është një konfirmim i qartë i shumicës së qytetarëve dhe vullnetit të tyre për ta mbështetur Marrëveshjen e Prespës dhe rrugën euroatlantike të vendit.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski akuzoi për siç tha falsifikim të rëndë të zgjedhjeve.

“Sot  patëm parregullsi, shantazhe, kanosje, presione… Ky pushtet është i vetëdijshëm se tani më është i kaluar dhe do të dështojë”, ka thënë Mickoski. Sipas tij, tanimë pushtetin e pret një ferr i vërtetë politik.

Kandidatja për presidente e përkrahur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni Gordana Siljanovska –Davkova pasi pranoi humbjen nuk e ka uruar hapur fitoren e kundërkandidati, Stevo Pendarovski.

“Numrat flasin për humbje. Thjeshtë të mundurit nuk ndjehen mirë, por unë nuk jam ndjerë më e qetë, më e pasur”, ka thënë Siljanovska.

Sipas të dhënave të KSHZ-së nga mbi 100 për qind e votave të numëruara, ose 3.436 vendvotimeve, Pendarovski ka fituar 436.212ose 51,66%, derisa kundërkandidatja Gordana Siljanovska Davkova ka marrë 377.713 ose 44,73% të votave nga 1.8 milionë votues.

Mesazhe urimi për Pendarovskin

Kandidatit socialdemokrat Stevo Pendarovski i kanë mbërritur urimet e para për fitoren në zgjedhjet e djeshme presidenciale.  I pari që ka uruar ka qenë mbrëmë presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ka shkruar

“Shumë urime Stevo Pendarovskit për fitoren e tij në zgjedhjet e sotme presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Besimplotë për bashkëpunimin e shkëlqyer në të ardhmen, jo vetëm midis dy vendeve tona, por dhe për forcimin e perspektivës euroatlantike të rajonit”, ka shkruar Meta në rrjetin social Facebook.

Komisari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn po ashtu ka uruar fitoren në zgjedhjet presidenciale Stevo Pendarovskit.

“Urime deri tek Stevo Pendarovski për përzgjedhjen e tij për kryetar të Republikës së Maqedonisë së veriut. Me padurim pres bashkëpunim të vazhdueshëm me agjendën e BE-së, në kontekst të konkluzave të vitit të kaluar të Këshillit që e hapën rrugën për fillim të bisedimeve me BE-në, në qershor”, ka shkruar Hahn.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s përmes një mesazhi ka përgëzuar përzgjedhjen e kryetarit të rë të Maqedonisë së Veriut.

“Urime Stevo Pendarovski fitoren në zgjedhjet Presidenciale, do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju, në rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut si anëtare e 30-të e NATO-s”, ka shkruar Stoltenberg.  Fitorja e kandidatit të koalicionit qeverisës me një diferencë prej 55 mijë votave përballë kandidates së opozitës sot është kryelajm edhe në mediat botërore dhe të vendit, duke shkruar se fitoi opsioni për rrugëtimin drejt NATO dhe BE-së.

Kush është presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut

Stevo Pendarovski është presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, sipas rezultateve të para zyrtare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ). Ai  është lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup. Pendarovski është i njohur si politikan, profesor dhe analist. Në vitin 2014 i kishte hyrë garës presidenciale, por duke pësuar humbje nga presidenti në larg Gjorgje Ivanov, që mbështetej nga VMRO-DPMNE në pushtet.

Ai ka pasur një karrierë të pasur në Ministrinë e Brendshme, në sektorit për analitikë dhe zëdhënës i kësaj ministrie. Më pas ka kaluar në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski, duke ushtruar detyrën e shefit të sigurisë kombëtar dhe këshilltar për politikë të jashtme. Në këtë detyrë vijoi edhe me presidentin Branko Crvenkovski. Në zgjedhjet e fundit, dhjetor 2016, fiton mandatin e deputetit si kandidat i Lidhjes Socialdemokrate (SDSM). Më 7 dhjetor të vitit 2017, Pendarovski dha dorëheqje nga funksioni i deputetit pasi që u emërua në funksioni aktual të tij si koordinator kombëtar për përgatitje të Maqedonisë për anëtarësim në NATO.