Sot dhe seancë parlamentare dhe protestë e opozitës, çfarë na pret?

Sot dhe seancë parlamentare dhe  protestë e opozitës, çfarë na pret?

Një seancë parlamentare dhe një protestë e opozitës jashtë mjediseve të Kuvendit, në të njëjtën kohë. Kjo është ajo që pritet të ndodhë sot duke nisur nga ora 10.00 e paradites. Por  që nuk dihet sesi dhe kur do të përfundojë, të paktën sipas paralajmërimeve të deputetëve të opozitës.

Dje nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ka paralajmëruar qytetarët që nuk duan të përfshihen në protestën e opozitës, të qëndrojnë larg Parlamentit sot. Duke theksuar se në protestë, sot do të ketë shumë më shumë njerëz se herën e parë dhe se këtë herë protestuesit do të jenë edhe më “të gjallë”.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një takim të posaçëm dje me aleatët e tij opozitarë, pikërisht për mënyrën sesi do të zhvillohet protesta e sotme. Pas tij, ai iu drejtua edhe me një apel publik qytetarëve që t’i bashkohen protestës tek Kuvendi, të cilin e ka quajtur sërish ilegjitim.

“Janë ditë dhe orë intensivë për opozitën. Sot makineria e Ramës është shkërmoqur. Policia kërkon t’i mohojnë qytetareve të drejtën për të protestuar. Por beteja do vazhdojë çdo ditë. Mesazhi është i qartë se kështu nuk do vazhdohet më dhe ne do qëndrojmë në krah të qytetarëve”, – tha dje kryedemokrati Basha.

Kujtojmë se Policia e Shtetit nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike të zhvillojë protestë me argumentin se cenohet siguria kombëtare, ajo publike, si edhe deputetët. Ndërsa nga ana e saj, PD-ja e ka akuzuar policinë se po shkel Kushtetutën dhe se protesta do të zhvillohet sot edhe pa lejen e saj.

DEKLARATA

Rama, porosi deputetëve socialistë: Futuni në Kuvend në orën 09.30!

Kryeministri Edi Rama mblodhi dje grupin parlamentar të Partisë Socialiste, një ditë para protestës së sotme të paralajmëruar të opozitës. Një mbledhje me dyer të mbyllura kjo,ku kreu i qeverisë mësohet se u ka dhënë edhe porosi të veçanta deputetëve socialistë. Kështu, ai u kërkoi që të gjithë ata të jenë futur në sallën e seancave plenare në orën 09.30, me synim që të shmanget çdo incident. Nga ana tjetër, ministrisë së Brendshme i është kërkuar që të garantohet siguria fizike e deputetëve të mazhorancës gjatë zhvillimit të seancës.