Skepticizëm për datën për fillimin e bisedimeve në qershor

Skepticizëm për datën për fillimin e bisedimeve në qershor

Në Maqedoninë e Veriut ka skepticizëm se vendi në takimin e qershorit të BE-së do të marrë datën për fillimin e bisedimeve. Por nga ana tjetër analistët politik thonë se kjo më tepër varet nga koncensusi mes vendeve anëtare, sesa nga rekomandimi pozitiv që e jep Komisioni Evropian.

Përderisa partitë në pushtet thonë se po bëjnë të pamundurën që të arrihet në kohë me reformat e parapara që të caktohet data në qershor, opozita vlerëson se në qershor nuk do të caktohet datë për fillimin e bisedimeve.

Ministri i jashtëm Nikola Dimitrov bashkë me zv/kryeministrin për integrime evropiane, Bujar Osmani po qëndrojnë në Berlin me një agjendë lobimi që vendi të marrë datën për fillimin e negociatave në qershor.

“Kemi  arritur shumë dhe vazhdojmë të punojmë me shumë përpjekje si brenda ashtu edhe jashtë, që bashkërisht me partnerët tanë të sigurojmë perspektivë të kapshme evropiane për vendin”,theksoi Dimitrov.

Ish-ministri i jashtëm dhe deputeti i VMRO-DPMNE, Antonio Milososki thotë se në qershor vendi për fat të keq nuk do të marrë datë për fillimin e bisedimeve. “Disa nga arsyet janë se kemi drejtësi selektive dhe nuk ka reforma në administratë”, thotë Milososki, duke shtuar se Franca, Holanda dhe Danimarka momentalisht kanë mendimet e tyre se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të marrin datën për fillimin e negociatave.

Lupço Petkovski nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink” thotë se do të varet se vendet anëtare a do të arrijnë koncensus.

“Problemi më i madh është Shqipëria, ndërsa vendi ynë është problem më i vogël, për shkak se kemi lajme të mira që vijnë gjatë viteve të fundit,  që kanë të bëjnë më tepër më zgjidhjen e kontesteve bilaterale, se sa me reformat e brendshme. Informatat e mija thonë se sërish disa nga shtetet e fuqishme si Franca do të jenë problem për të dhënë miratimin për fillimin e bisedimeve”, theksoi Petkovski.

Sondazhet e fundit tregojnë se është rritur numri i qytetarëve skeptik që vlerësojnë se vendi nuk do të marrë datë për fillimin e bisedimeve me BE./IBNA