Si është gjendja e mediave në Maqedoninë e Veriut?

Si është gjendja e mediave në Maqedoninë e Veriut?

Mediat në Maqedoninë Veriore përballen me probleme dhe mangësi në aspektin e funksionimit të tyre, ndërsa problem është edhe rregullimi i hapësirës së mediave online. Këto vlerësime u dhanë në konferencën e e zhvilluar nw SHkup me temë “Sfidat e vetërregullimit mediatik në rajonin e Ballkanit dhe Turqisë” në organizim të Këshillit të Etikës në Mediat e Maqedonisë së Veriut (KEMM).

Ministri për komunikim dhe transparencë, Robert Popovski thotë se shteti do të mundësojë ambient që mediat të funksionojnë të çliruara prej çfarëdo ndikimesh dhe se vetë mediat janë ato që duhet të rregullojnë situatën e krijuar përmes një procesi të vetërregullimit.

“Opinioni ka nevojë ta kthejë besimin në media, në politikat dhe në mënyrën e funksionimit të sistemit. Vetërregullimi është shumë i rëndësishëm dhe do të mundësojë edhe opinioni edhe qytetarët ta njohin se çfarë është informacion cilësor dhe i saktë, dhe çka e pavërtetë”, theksoi Popovski.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të KEMM, Katerina Sinadinovska nënvizon se mediat ballafaqohen me redaksi të zbrazëta, me gazetarë të pamjaftueshëm të cilët nuk janë të edukuar në aspektin mediatik sa duhet. Sipas saj, mediat po ashtu po ballafaqohen edhe me sfida të rënda financiare, me lajme të rrejshme dhe formimin e portaleve pa numër të cilët, siç tha, mbijnë brenda natës të financuara prej qendrave të ndryshme politike dhe të biznesit.

“Mungon program, mungon prodhim, përmbajtje dhe nënkuptohet se mungon gazetari hulumtuese që drejtpërdrejt lidhet edhe me dobësinë financiare të mediave. Mungon komponent kulturor dhe edukativ i medias”, thekson Sinadinovska.

Ambasadori holandez, Valter Plomp thotë se duhet të plotësohen të gjitha mangësitë që tangojnë mediat, edhe përmes një legjislature të definuar qartë.

Raporti i fundit i progresit i BE-së thotë se në Maqedoninë e Veriut është evidente polarizim politik i vërejtur përmes mediave online, një pjesë e të cilave gjithashtu përhapin gjuhën e urrejtjes dhe shkelje të kodit të etikës në gazetari./IBNA