Shqipëri-Kosovë hedhin një tjetër hap, telefona pa roaming pas majit

Shqipëri-Kosovë hedhin një tjetër  hap, telefona pa roaming pas majit

Shqipëria dhe Kosova duket se po hedhin një hap të ri mes tyre. Pas muajit maj parashikohet që mes këtyre dy vendeve të mos aplikohen më tarifat e roamingut gjatë bisedave telefonike. Lajmi është bërë me dije ngakoordinatori kombëtar i të dy qeverive, Fatmir Limaj.

“Ne si Kosovë jemi gati menjëherë ta zbatojmë roamingun, por besoj që edhe Tirana shumë shpejt besoj përmes vendimit të qeverisë dhe parlamentit do ta marrë atë vendim. Dhe në muajin maj nuk do të kemi problem me roamingun”, ka deklaruar ai.

Më tej, Limaj, ka pohuar se paskëtaj mes palëve pritet që të zbatohet edhe çështja e njohjes së patentave të shoferëve të të dy vendeve, e cila thuajse është realizuar.

Ndërsa për çështjen e qarkullimit të lirë të njerëzve mes dy vendeve, zyrtari i lartë kosovar shprehet se në këtë pikë dy vendet ndahen, pasi ata duhet të respektojnë detyrimet që kanë me Bashkimin Evropian, e për këtë duhet të tregohen të kujdesshëm.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian u ka kërkuar të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që ta heqin tarifën e roamingut, si një formë lehtësimi kjo për komunikimet ndërmjet qytetarëve të tyre.

Aplikimi i një mase të tillë vlerësohet sidomos me leverdi për pushuesit kosovarë, të cilët zgjedhin vendin tonë për të kaluar pushimet e tyre. Por edhe për shumë sipërmarrës shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre privat në Kosovë, apo realizojnë shkëmbime tregtare me këtë vend.

“Nga 80 marrëveshje të nënshkruara, një pjesë e tyre nuk janë zbatuar. Tani jemi duke i monitoruar këto marrëveshje dhe të shohim pse nuk po zbatohen dhe të fillojë zbatimi i tyre”, ka thwnw mes tw tjerash Limaj. Duke pranuar se jo gjithçka është projektuar deri tani në mbledhjet e përbashkëta mes dy vendeve është mundur të realizohet. “Janë arritur shumë marrëveshje, por rrugës, për shkak të pengesave burokratike dhe neglizhencës, jo gjithmonë ato marrëveshje janë zbatuar”, shtoi ai.

Projekti, heqje e tarifave roaming mes gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor

Kosova duket se është vetëm hapi i parë. Pasi brenda dy viteve pritet që Shqipëria të mos aplikojë më tarifa roaming për bisedat telefonike edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja. Një projekt ky i iniciuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, i cili do nisë zbatimin nga vera e këitj viti dhe do të përfundojë në vitin 2021.