Shkupi në pritje të raportit të progresit nga BE

Shkupi në pritje të raportit të progresit nga BE

Eurokomisioneri Johanes Hahn nesër do ta prezantojë paketën për zgjerim të BE-së para Komitetit të politikës në Parlamentin Evropian. Han do të prezantojë raportet e progresit të vendeve kandidate dhe propozimin për marrjen eventuale të statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën. Edhe pse autoritet në Shkup kishin deklaruar se kanë pasur mundësinë të shohin një draft të raportit për Maqedoninë e Veriut, detajet akoma nuk janë mësuar. Por, vetë Hahn, disa herë kishte deklaruar se Komisioni Evropian do të rekomandojë fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Një vendim konkret për fillimin eventual të bisedimeve nuk do të ketë deri më 18 qershor në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.

Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov pret përgjigje pozitive nga Brukseli.

“Maqedonia e Veriut pret të marrë dritë jeshile nga BE-ja dhe sivjet t’i fillojë negociatat për anëtarësim. Brukseli duhet ta njohë tregimin e suksesshëm dhe të mos i hedhë poshtë aspiratat e Shkupit për eurointegrim, sepse në të kundërtën do të rrezikonte ta humbasë ndikimin e Ballkanit dhe do t’i përforconte rivalët në rajon”, ka nënvizuar Dimitrov për “Financial Times”.

Ambasadori evropian në Shkup, Samuel Zbogar tha dje se i mbetet shteteve anëtare të vendosin nëse Maqedonia e Veriut do të fillojë bisedime për anëtarësim. “Jam optimist edhe përkundër pranisë së shtuar të partive euroskeptike në përbërjen e re të Parlamentit Evropiane. Megjithatë kjo nuk do të reflektojë negativisht në politikën e zgjerimit”, theksoi Zbogar.

Lupço Petkovski nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink” në Shkup pret porosi pozitive nga Brukseli.

“Marrëveshja e Prespës vlerësohet si lajmi më i mirë i vetëm nga Ballkani, ndërsa vendet e tjera fqinje kanë probleme më të mëdha se ne. Andaj mendoj se raporti për vendin tonë do të jetë më pozitiv nga të gjitha raportet e deritanishme”, thekson Petkovski. /IBNA