Shkupi aktivitete diplomatike informative për emrin e ri

Shkupi aktivitete diplomatike informative për emrin e ri

Autoritetet qeveritare në Shkup po vijojnë aktivitetet intensive për procesin e ratifikimit të Protokollit për anëtarësim në NATO pas ndryshimit të emrit.

Ministrja e mbrojtjes, Radmila Sekerinska theksoi se gjatë takimeve në Bruksel ka kërkuar nga vendet anëtare të Aleancës ratifikimin sa më të shpejt të protokollit.

“Kërkova edhe nga kolegët e mi Ministra të Mbrojtjes të stimulojnë dhe lobojnë për proces më të shpejtë të ratifikimit të protokollit për zgjerim që shteti ynë të mund t’i ketë të gjitha privilegjet e anëtarësimit të plotë.”, theksoi Sekerinska.

Ajo tha se ka siguruar mbështetje që Mali i Zi shumë shpejt do të ratifikojë protokollin.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka vazhduar me aktivitetet e saj për të informuar OKB lidhur me emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Republika e Maqedonisë së Veriut në pajtim me detyrimet nga Marrëveshja përfundimtare i parashtroi tre notat verbale: Notë verbale në Misionin e përhershëm për vendet anëtare dhe vendet mbikëqyrëse të OKB-së. Notë verbale nga MPJ është dërguar edhe tek të gjitha organizatat ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale ku janë njoftuar për ndryshimet e bëra”, informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup.

Në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, vijon edhe procesi i ndryshimit të të gjitha mbishkrimeve dhe dokumenteve zyrtare duke përdorur emrin e ri. /IBNA