Shkëmbimi i territoreve ende në lojë në bisedimet Kosovë-Serbi

Shkëmbimi i territoreve ende në lojë në bisedimet Kosovë-Serbi
Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka folur rreth një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtari i lartë evropian nuk e ka përjashtuar edhe idenë e shkëmbimit të terriotoreve në marrëveshjen finale mes dy vendeve.
“Tani për tani, askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ishte një rezultat final”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se edhe “një shkëmbim i mundshëm i territorit mund të jetë si pjesë e saj – nëse palët dëshirojnë”.
Hahn theksoi se “një element themelor në një marrëveshje të ardhshme duhet të jetë respektimi i të drejtave të pakicave”.
“Parakushti i vetëm që kemi ngritur është se çdo lloj marrëveshje dypalëshe duhet të kontribuojë për më shumë paqe dhe stabilitet në rajon”.
Gjithsesi, një marrëveshje politike që vjen me koston e të tjerëve, tha Hahn, do të ishte e papranueshme për Bashkimin Evropian.
Këto deklarata kanë nxitur reagime në Prishtinë dhe Beograd. Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli ka theksuar se bisedimet me Serbinë duhet të vazhdojnë, por nuk do të diskutohet për shkëmbim territoresh.
“Kosova është shtet i pavarur e sovran dhe nuk ka asnjë dilemë dhe ne po flasim vetëm për raportet Kosovë-Serbi drejt Bashkimit Evropian, por në çështjen e së ardhmes së Kosovës, ne as që do të hapim diskutim për atë çështje për vet faktin se territori dhe institucionet janë një e të pandashme dhe janë të qytetarëve të Kosovës të cilët janë shumicë shqiptare me rreth 92 apo 93 për qind”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, diplomati serb, Ivica Dacic ka theksuar se njëherë duhet të hiqet taksa ndaj produkteve serbe dhe pastaj mund të rifillojnë bisedimet.
“Së pari le të zgjidhin taksën pastaj shikojmë përpara”, u shpreh Dacic. “Do të presim se çfarë do të ndodhë në Berlin më 29 prill”, ka shtuar ai./Ibna/