Shefi i politikës së jashtme rumune: Hapje negociatash për Shqipërinë!

Shefi i politikës së jashtme rumune: Hapje negociatash për Shqipërinë!

“Pozicioni ynë kombëtar është mbështetja e përshpejtimit të negociatave me Serbinë dhe Malin e Zi në drejtim të anëtarësimit në BE, hapja e kapitujve të rinj për negocim. Ne dëshirojmë, dhe ky do të jetë propozimi im- që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (ose që nga ky moment Maqedonia Veriore) dhe Shqipëria të marrin një ftesë të qartë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”.

Ky është qëndrimi i shprehur nga shefi i politikës së jashtme rumune, Teodor Melescanu, lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Be, gjatë presidencës rumune të BE-së, e cila ka nisur nga 1 janari i këtij viti.

“Ballkani Perëndimor do të jetë në axhendën e takimit të ministrave të Jashtëm të BE më 31 janar në Bukuresht”, u shpreh gjithashtu ministri i Jashtëm rumun, duke shtuar se “këtë prioritet e kemi marrë nga presidencat e mëparshme të BE, sidomos nga Bullgaria dhe Austria”. Sipas Melescanit po planifikojmë së afërmi të flasim për këtë, përfshirë edhe takimin më 31 janar në Bukuresht, “fillimisht mes nesh, vendeve anëtare dhe pastaj më vonë do të ftojmë në dialog të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Ministri i Jashtëm rumun, Melescanu thekson në fund se “na mbeten dy vende në Ballkan, Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, që janë në një fazë fillestare, me ta ne do të jemi gati të flasim dhe të shohim si mund të mbështeten përpjekjet e tyre europiane, nëse kjo është ajo që ato dëshirojnë në nivel qeverish dhe shtetesh në fjalë”.