SHBA: Të zhbllokohet KQZ-ja në Kosovë

SHBA: Të zhbllokohet KQZ-ja në Kosovë
Ambasada amerikane në Prishtinë, i bëri thirrje të martën presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që të emërojë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ka mbetur jofunksional tash e një vit me radhë, që kur ka skaduar mandati i përbërjes së vjetër.
Në një komunikatë të ambasadës amerikane thuhet se “dështimi për t’i emëruar përfaqësuesit i ka pamundësuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kryerjen e funksioneve të tij themelore; më shumë se 30 anëtarë të kuvendeve komunale dhe një deputet i Parlamentit të Kosovës nuk kanë pasur mundësi të marrin detyrën për shkak të vonesës”.
Në komunikatë thuhet se “ky dështim ka rritur perceptimin e publikut se madje edhe njëri ndër institucionet më efikase dhe më jopartiake të Kosovës i nënshtrohet ndërhyrjes politike. E nxisim presidentin Thaçi që menjëherë t’i emërojë përfaqësuesit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’ia kthyer këtij institucioni aftësinë për të punuar në mënyrë të besueshme dhe të pavarur për të mirën e popullit të Kosovës”.
Pak kohë pas publikimit të qëndrimit amerikan, zyra e presidentit të Kosovës njoftoi se “pas përmbylljes së të gjitha procedurave dhe kompletimit të lëndëve me informacionet e kërkuara shtesë, këtë javë do të emërohen anëtarët e rinj të KQZ-së. Anëtarët e rinj të KQZ-së, të enjten më 28 mars 2019, do ta bëjnë betimin para presidentit Thaçi”, thuhet në një njoftim të shkurtër të zyrës së presidentit.
Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lëvizja Vetëvendosje kanë akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për bllokim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve./Ibna/