SHBA: Qeveria të mos emërojë individë të pakualifikuar në poste të larta në Kosovë

SHBA: Qeveria të mos emërojë individë të pakualifikuar në poste të larta në Kosovë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur thellësisht të shqetësuara nga, siç thuhet, “veprimi i qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare – përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës”.
Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë të publikuar të martën thuhet se “në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës; fatkeqësisht shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurt se nuk do të dënohen dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare”.
Emërimi i këtyre individëve të pakualifikuar “dëmton besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i fyen viktimat e krimeve të këtyre individëve. Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit”.
Në komunikatë u bëhet thirrje udhëheqësve të Kosovës “që ta marrin këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e t’i japin fund kësaj prirjeje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose besimin e shtetit”.
Gjatë muajve të kaluar në disa raste ambasada amerikane por edhe diplomatët tjerë perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen për emërime politike në poste të rëndësishme./Ibna/