Shansi i fundit për të parë nga e ardhmja – Nga Ditmir Bushati

Shansi i fundit për të parë nga e ardhmja – Nga Ditmir Bushati

Nga Ditmir Bushati

Raportimi i institucioneve që japin llogari para Kuvendit të Shqipërisë është një procedurë normale kushtetuese e llogaridhënëse e këtyre institucioneve. Por, në periudhën politike e situatën politike në të cilën ne jetojmë, natyrisht që raportimi i KQZ-së apo debate e diskutime të ndryshme lidhur me nevojën për të ndryshuar sistemin zgjedhor dhe garancitë që ky sistem duhet të bëjë, në radhë të parë për të garantuar votën e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, sot për sot marrin një vëmendje të posaçme.

Nuk ka diskutim që politika shqiptare për herë të parë është në një situatë të paprecedentë. Kemi qenë shpesh në rreth-rrotullime, kemi gjetur tabelën “exit” për të dalë nga këto rreth-rrotullime, por për herë të parë në historinë e pluralizmit të Shqipërisë, një parti apo dy parti politike parlamentare kanë dorëzuar mandatet e tyre, të dhëna nga populli. Natyrisht, ky është një precedent i ri, jo vetëm për demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore, por edhe për vende me regjime despotike, siç është rasti i Venezuelës.

Nuk ka një mendje racionale, qoftë kjo shqiptare apo ndërkombëtare për të legjitimuar djegien e mandateve si instrument politik për të arritur një objektiv të caktuar. Qoftë rrëzimin e një qeverie, ndërrimin e një kryeministri, apo provokimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Aq më tepër, kur ky Kuvend u konstitua në bazë të zgjedhjeve të 2017-ës, të cilat u organizuan nga një qeveri e përbashkët, ku institucionet kyçe u drejtuan nga opozita në atë kohë dhe kur ky Kuvend u pranua pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe nga opozita këtu teksa bëri betimin dhe një pjesë të punës së saj për 1 vit e gjysmë. Është po ky Kuvend dhe po këto zgjedhje, të cilat kanë marrë certifikimin e OSBE-ODHIR dhe në të gjithë e kemi pranuar që OSBE-ODHIR është autoriteti ndërkombëtar i padiskutueshëm përsa u përket standardeve zgjedhore.

Megjithatë, nuk mund ta mohojmë faktin se boja, vezët, vaji, mielli në parlament kanë dalë sot në rrugë. Sot në rrugë janë zëvendësuar me kapsollën, nga përplasja gabimisht e muskujve me policinë dhe tek baltosja e institucioneve të shtetit shqiptar. Duke dalë nga parlamenti, unë jam i bindur që opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi.

Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse.

Ne jemi PSSH, ne jemi socialistë, demokratë progresistë. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë, por edhe për fëmijët e opozitës që mungon këtu në sallë.

Kjo është arsyeja që unë e mbështes propozimin e Damian Gjiknurit për t’u ofruar një hapësirë më të madhe të gjithë aktorëve politikë, sepse demokracinë nuk e konceptoj si procedurë të thjeshtë. Demokracia si procedurë është zëvendësimi formal i listës së Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por demokracia është edhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për Kodin Zgjedhor për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare, por mbi të gjitha për opozitën politike, besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka Partia Socialiste e Shqipërisë. Socialistët, progresistët shqiptarë për fatet e demokracisë dhe për fatet e Shqipërisë.

Këtu ka burra e gra që kanë hyrë në këtë sallë që në 1991-n, ka burra dhe gra që kanë kontribuar për këtë vend. E dinë të gjithë mirë që socialistët dolën me devizën, të sakrifikojmë sa më shumë, në mënyrë që të ndërtojmë një shtet solid. Ishin socialistët dhe progresistët e këtij vendi, që ndërtuan një sistem të ri nga hiri i 1997-ës.

Nuk ka javë më të rëndësishme se kjo që po mbyllim për të shprehur respektin tonë për të gjithë ata që kanë shërbyer në këtë vend me të mirat dhe të këqijat e tyre. Kjo javë përkon me 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO. Nuk fillon 10-vjetori i Shqipërisë në NATO me gjeneratën time politike, nuk fillon as 70- vjetori i NATO-s si organizatë, e cila pikë së pari është një organizatë politike dhe më pas ushtarake me ne këtu, por me të gjithë ata që vuajtën burgjeve të komunizmit, që e kërkonin Shqipërinë si gjithë Evropa. Me studentët e Dhjetorit që u ngritën dhe nuk e imagjinonin dot kur e kërkonin Shqipërinë si gjithë Evropa në ‘90-ën, që edhe pas 30 vjetësh Shqipëria ende do të përpëlitej në debatin nëse do t’i hapim apo nuk do t’i hapim negociatat.

Kjo është java që ne duhet të përkujtojmë 10-vjetorin e kontratës më angazhuese që ky vend ka me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe duhet të shohim nga fqinjët tanë dhe të kuptojmë se pse 10 vjet pas hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje ne nuk kemi hedhur hapin vendimtar përpara. Pse, 13 vjet nga firmosja e kësaj marrëveshje në 2006-ën, ndërkohë që në marrëveshje shkruhet shumë qartë që brenda 10 viteve do të përgatitet vendi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ne jemi këtu ku jemi. Dhe kur flasim për mbyllje të tranzicionit, ne duhet ta mbyllim tranzicionin vetëm kur të përkojë me reformat, të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian.

Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj shërbimit të jashtëm shqiptar. Sot është dita për të shprehur mirënjohjen ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, ndaj Forcave të Armatosura të këtij vendi. Janë dy institucione të krijuara me 4 dhjetor të 1912-ës. Janë ndër të paktat pasuri që nuk i shkatërroi dot asnjë lloj regjimi. Janë pasuri të cilat nuk mund të vihen në pikëpyetje.

Unë nuk jam mbrojtës assesi i status-quos, nuk jam as partizan i nostalgjive të dikurshme, por aty ka burra e gra të cilët kanë punuar me përkushtim për Shqipërinë anëtarë të NATO-s. Aty ka burra e gra që kanë shërbyer në misione dhe kanë vëne jetën e tyre në rrezik për Shqipërinë anëtarë të NATO-s, për t’i rritur reputacionin ndërkombëtar këtij vendi, edhe në kushtet kur ne klasa politike, kemi bërë baltën mullar në këtë vend.

Prandaj është dita që ne të kuptojmë dhe të vlerësojmë mundin e heronjve të heshtur, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që e kanë bërë Shqipërinë më krenare se ç’mund ta ketë bërë klasa politike.

Ne jemi sot për sot në një udhëkryq të madh. Lexova “Financial Times”, një prej gazetave më prestigjioze në botë. E dini me çfarë hapej në faqen e parë? Me foton selfie të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrit grek për arritjen e madhe historike pas 3 dekadash. Unë sot pyes. Si ka mundësi z. Ruçi që pas tre dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z. Ulqini, si ka mundësi z. Majko, e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë parlament. Pse kur grekët dhe maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin. A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?

Çfarë do t’i themi sot ne një 30-vjeçari?

Shikonin një fakt të rëndësishëm. Njerëzit që luftuan gjatë Luftës së II-të Botërore po mbesin gjithnjë e më pak, për shkak të arsyeve biologjike. Njerëzit që kontribuan në komunizëm, për atë që konsiderohet pasuria kolektive, ose sot janë dëshpëruar, ose e kanë lënë këtë vend për shkak se pasuria u grumbullua te një rreth vicioz njerëzish. Po 30-vjeçarët që kanë lindur në vitet ‘89-‘90 që nuk e dinë çfarë ishte komunizmi? Si do ta shpjegojmë këtë prapambetje në raport me fqinjët, jo me Evropën e vlerave demokratike.

Do vazhdojmë të themi që ishte faji i komunizmit, ishte faji i Enverit?

30 vjet është më shumë se nga shpallja e Pavarësisë shtet në vitin 1912 tek fillimi i Luftës së I-rë Botërore, apo pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. 30 vjet janë më shumë se periudha mes dy luftërave botërore. 30 vjet nuk e justifikojnë dot votën dhe besimin që na kanë dhënë shqiptarët.

Prandaj, është momenti i fundit që ne të shohim për nga e ardhmja dhe mos bëhemi nostalgjik të së shkuarës.