Sfidat për presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut

Sfidat për presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dje e nisi ditën e parë të punës, duke premtuar se do të jetë president i të gjithë qytetarëve pa dallime, por do të angazhohet edhe për pajtim politik si dhe anëtarësimin e plotë të vendit në NATO dhe BE.

Njohësit e zhvillimeve politike thonë se presidenti i ri që në fillim do të përballet me sfida të mëdha, sepse përballë tij janë ligje që nuk janë firmosur nga ish-presidenti Gjorgje Ivanov, edhe pse ishin miratuar nga Kuvendi.

Gazetari Borjan Jovanovski theksoi se Pendarovski do të jetë në sprovë të madhe gjatë dy javëve të ardhshme se si do të menaxhojë vendosjen e dialogut politik dhe pajtimin midis partive kryesore.

 “Mandati i tij duhet të përkushtohet për stimulimin dhe mbajtjen e nivelit të lartë të dialogut politik që e presin të gjitha vendet e zhvilluara të BE-së. Më 29 maj, Komisioni Evropian duhet të publikojë raportin për Maqedoninë, dhe pritet që të zgjidhet statusi i Prokurorisë Speciale, ashtu që dy javët e ardhshme do të jenë një test për Pendarovskin se si do të menaxhojë përkushtimin e tij strategjik për të vënë dialogun dhe për të siguruar pajtimin midis subjekteve kryesore politike”, thotë Jovanovski.

Analisti Boris Georgievski thotë se presidenti i ri i shtetit duhet të kthejë dinjitetin dhe kredibilitetin e këtij posti të lartë shtetëror. “Askush nuk pret diçka spektakolare nga presidenti i sapozgjedhur. Maqedonisë së Veriut i duhet një president i përmbajtur dhe normal, që do të mbajë linjën e përcaktimit për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike dhe për forcimin e shoqërisë multietnike”, thekson Georgievski. Stevo Pendarovski është presidenti i pestë i vendit pas pavarësimit nga ish-republika jugosllave. /IBNA