Sërish protestë … Kaos dhe gaz lotsjellës në dyert e Parlamentit

Sërish protestë … Kaos dhe gaz  lotsjellës në dyert e Parlamentit

Kryeqyteti i vendit është përfshirë sërish nga një protestë masive e opozitës. Kjo pasi, mazhoranca vendosi ta mbledhë ditën e djeshme seancën plenare, për të shmangur protestën e paralajmëruar të opozitës të enjten. Situata agravoi në një tension dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe forcave të rendit, ndërsa jashtë mjediseve të Parlamentit pritej mbyllja e punimeve të seancës plenare. Kaos, tym, zjarr dhe gazi lotsjellës shoqëruan dje gjithë momentet e protestës…

***

Parlamenti shqiptar zhvilloi dje për herë të parë një seancë plenare, pa mandatet e deputetëve të opozitës. Seancë kjo, e cila u shoqërua me një protestë masive jashtë mjediseve të tij, e cila zgjati për orë të tëra. Ndërkohë, që kryeministri Rama nuk mori pjesë gjatë punimeve të djeshme parlamentare.

Fillimi i protestës

Me thirrjet “Rama ik”, mijëra protestues opozitarë ishin të mbledhur përpara Parlamentit, ndërsa deputetët socialistë kanë shfrytëzuar hyrjet në krah për të hyrë brenda tij. Nga ana tjetër, forcat e rendit u bënë “gardh” para protestuesve. Por indinjata e tyre u forcua kur një ministër i qeverisë po kalonte pranë tyre. Ishin truprojat ato që e mbrojtën ministrin Blendi Klosi nga gurët e hedhur drejt tij nga protestuesit.

Tentativa për të hyrë në Parlament

Ora dje shënonte rreth 18:40 kur situata u tensionua, pasi protestuesit po e shtynin kordonin e policisë për të çarë radhët e saj. Menjëherë, forcat e rendit kanë përdorur gazi lotsjellës për të për larguar protestuesit dhe kordoni policor u ka hapur rrugë Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë për të ndërhyrë.

Gazi lotsjellës ka arritur të shpërndajë turmën e protestuesve, një pjesë e të cilëve janë tërhequr drejt rrugës së Elbasanit.

Por ata u rimblodhën sërish para mjediseve të Parlamentit, pas thirrjes që u bëri kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryetarja e LSI-së

Nga ana e saj, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi u ka dalë përballë forcave të shumta të policisë duke u dhënë zemër të gjithë protestuesve të shpërndarë prej gazit lotsjellës. Ajo u shpreh se askush nuk do të lëvizë nga sheshi deri në largimin e këtij parlamenti dhe kësaj qeverie. “Ne nuk do ikim”, u shpreh kryetarja e LSI-së.

Mbyllja e protestës

Pas mbarimit të seancës plenare, kryedemokrati Lulzim Basha njoftoi mbylljen e protestës. Deputetët socialistë dolën të qetë nga Parlamenti, pa u sulmuar nga protestuesit që gjendeshin jashtë mjediseve të tij.