Serbia synon të fusë mallra në Veriun e Kosovës

Serbia synon të fusë mallra në Veriun e Kosovës
Pas deklaratave të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq se Serbia duhet të fusë mallra në Kosovë, ka reaguar edhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Ljajiq.
Ai është shprehur se duhet të gjendet një mënyrë që të futen mallra dhe ushqim bazë në Kosovë nga Serbia.
“Qeveria duhet urgjentisht t’i përgjigjet popullatës duke marrë gjithçka që u nevojitet dhe të ndërkombëtarizohet ky problem dhe të tregojmë çfarë ka shkaktuar taksa”, tha Ljajiq.
Ai ka shtuar se sipas raportit të njerëzve që kanë vizituar marketet në veri mëngjesin e sotëm, stoqe ka vetëm deri në fund të javës.
Sipas tij, ka mungesë të qumështit, produkteve të qumështit dhe të pemëve e perimeve.
“Kemi pasur 2.662 kompani që kanë shitur mallra në Kosovë dhe tani shumica nuk i shesin mallrat e tyre”, tha Ljajiq.
“Mallrat që ata importuan nga vendet e tjera janë më të shtrenjta se tonat dhe prodhimi vendas nuk mund të kompensojë këtë mangësi”, tha ai.
Serbia ditëve të fundit ka inskenuar një krizë humanitare në veriun e Kosovës për të ngjallur reagimin e ndërkombëtarëve për taksën.
Komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, sipas autoriteteve në Beograd, po i vuajnë deri në përmasat e tragjedisë humanitare pasojat e taksës 100 për qind të vendosur nga Prishtina zyrtare për importet nga Serbia.
Por, e gjithë kjo situatë, sipas Qeverisë së Kosovës është një inskenim i Beogradit që vjen si presion dhe përpjekje për pezullimin e vendimit për taksën 100 për qind.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se “në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që shitoret po boshatisen”. Sipas tij, ky skenar do të duhej të aktivizohej të enjten.
Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha se Qeveria serbe do të përpiqet të bëjë gjithçka që ka në pushtetin e saj, për të “siguruar që mallrat nga Serbia qendrore të arrijnë te të gjithë njerëzit në Kosovë”. /Ibna/