Serbia inskenon krizë humanitare në Veri të Kosovës

Serbia inskenon krizë humanitare në Veri të Kosovës
Në shenjë proteste për taksën prej 100 për qind të vendosur nga Prishtina për mallrat nga Serbia të gjitha dyqanet ushqimore, dyqanet tjera dhe kiosqet me mallra në veri të Kosovës janë mbyllur.
Strukturat paralele serbe në Veriun e Mitrovicës i kanë urdhëruar të gjitha subjektet ekonomike të të gjitha llojeve që të mos punojnë, madje do të mbahen të mbyllura edhe pompat e benzinës, furrat, qebaptoret, lokalet e berberëve e sallonet e ondulimit.Qytetarët serbë kanë krijuar rezerva të paktën për tri ditë.
E ndërkohë për ‘krizën humanitare’, mediat serbe po raportojnë se sot janë mbyllur furrat e bukës dhe objektet e tjera hotelierike.
Kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve në veri të Kosovës, Rados Petrovic, deklaroi se kjo masë do të jetë në fuqi derisa Prishtina të heqë taksën.
“Ne paralajmëruam se nuk mund të funksionojmë me taksa dhe kjo është ajo që ndodh. Për sa kohë  nuk mund t’i sigurojmë mallrat dhe ne punojmë të punojmë si në një botë normale, kjo do të zgjasë”, tha Petrovic.
Ai thekson se ky veprim i biznesmenëve filloi spontanisht, pasi ato mbetën pa mallra njëra pas tjetrit.
Petrovic shton se ka premtim nga autoritetet e Beogradit se banorët e veriut të Kosovës nuk do të mbeten të uritur dhe ka ftuar  bashkësinë ndërkombëtare “që të përfshihet në zgjidhjen e problemit sa më parë që të jetë e mundur”.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka deklaruar se nuk do të lejojë që të zbatohet asnjë plan i Serbisë, i cili do të shkaktonte krizë humanitare në veri.
Bahtiri pohoi se si Komunë e jugut, së bashku me institucionet e Kosovës, do të parandalojnë planin e Serbisë për krijuar krizë artificiale humanitare në veri të Kosovës, duke boshatisur dyqanet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe barnat.
Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq, e cila një kohë të gjatë ka administruar me Zyrën në Veri thotë se, kriza humanitare në veri është një lojë politike.
“Për qytetarët nuk është e lehtë. Krizë humanitare, është një lojë politike, janë vendimet politike që po i bëjnë viktima vetë qytetarët. Unë mund të them që dje edhe sot, raftet në dyqane të Mitrovicës Veriore, kanë qenë gjysmë të zbrazura. Dyshoj që prapa kësaj janë politikat e larta”, tha Hoxhiq./Ibna/