Serbia do të kërkojë ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, reagime në Kosovë

Serbia do të kërkojë ekstradimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, reagime në Kosovë
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dënuar arrestimin shtetasit të Kosovës, Tomor Morina, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga ana e policisë së Maqedonisë së Veriut.
Morina është arrestuar në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i me kërkesë të Serbisë.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se pret që shumë shpejt, Maqedonia e Veriut, të lirojë Tomor Morinën, ish-ushtar i UÇK-së, i ndaluar sot pas urdhër-arrestit nga Serbia.
Pacolli ka thënë se Kosova është në kontakt të ngushtë me autoritetet në Maqedoni dhe pret lirimin e shpejtë të Morinës, teksa ka shtuar se këto urdhër-arreste nga Serbia s’kanë as kuptim e as bazë ligjore.
I pyetur për të komentuar çështjen e arrestimit të ish-pjesëtarit të UÇK-së, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka thënë se do të respektohet ligji.
“Sundimi i ligjit dhe respektimi i rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare është normë evropiane, të cilën unë dhe të gjithë ju e përfaqësojmë”, ka thënë Zaev.
Sipas kryeministrit të Maqedonisë së Veriut maqedonas, Interpoli ka gabuar ku në dosje ka shkruar se Morina është shtetas i Serbisë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Vendi ynë konfirmon se ai është një shtetas i Kosovës dhe ka një pasaportë nga Britania e Madhe dhe Kosova. Më së paku nga ajo që pres është të respektohen ligjet e këtij vendi”, tha Zaev.
Në anën tjetër, autoritetet serbe kanë kërkuar nga Maqedonia e Veriut ekstradimin e tij në Serbi.
Ministria serbe e Drejtësisë ka thënë se do të dërgojë te autoritetet maqedonase një kërkesë për ekstradimin e tij, pasi sipas tyre, ai dyshohet se ka qenë i përfshirë në krimet e luftës kundër civilëve në rajonin e Gjakovës nga janari deri në qershor të vitit 1999.
Ky fakt ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. /Ibna/